Finalja e Kupës së Botës 1966: Mbetet ende sot suksesi i vetëm i arritur nga Anglia në një turne ndërkombëtar. Skuadra e drejtuar nga Sir Alf Ramsey mundi 4-2 Gjermaninë Perëndimore, 55 vjet më parë në “Wembley”. Geoff Hurst shënoi tre gola, njëri prej të cilëve diskutohet edhe sot nëse e kaloi vijën fatale apo jo. Arbitri i ndeshjes, zvicerani Gottfried Dienst, i pasigurt për të marrë një vendim, u konsultua me një anglishte të çalë me gjyqtarin anësor azerbajxhanas, Tofiq Bahramov, dhe më pas akordoi gol. Ndeshja u ndoq në televizor nga 400 milionë persona. Gjysmëfinalja e Kupës së Botës 1990: Një përballje e tensionuar, ku dominoi mbrojtja e fortë nga të dy krahët. Andreas Brehme shënoi golin e parë për gjermanët në mes të pjesës së parë, ndërsa Gary Lineker barazoi rezultatin në kohën e rregullt. Pas kohës shtesë, penalltitë i dhanë vendin në finale Gjermanisë, pasi Stuart Pearce dhe Chris Waddle gabuan gjuajtjet e tyre. Lotët e Paul Gascoigne mbeten një kujtim i hidhur për anglezët edhe sot. Pas kësaj ndeshjeje, Lineker tha: “Futbolli është një lojë e thjeshtë, 22 burra vrapojnë pas topit për 90 minuta dhe në fund, Gjermania fiton gjithmonë”. Gjysmëfinalja e Euro ’96: Alan Shearer kaloi në epërsi anglezët, por pas vetëm 13 minutash Stefan Kuntz barazoi rezultatin. Te penalltitë, Gjermania fitoi përsëri pasi gjuajtja e trajnerit aktual të anglezëve, Gareth Southgate, u prit nga portieri gjerman, Andreas Kopke. Njësoj si në Botërorin e vitit 1990, Gjermania do të fitonte edhe Europianin, këtë herë para Mbretëreshës Elisabeth II. 1-5 në Mynih, viti 2001: Fitorja më e thellë e Anglisë kundër Gjermanisë, u realizua në kualifikueset e Botërorit 2002. Anglia kërkonte kualifikimin, por u shtang nga një gol i shpejtë i Carsten Jancker. Por Michael Oëen shënoi 3 herë, ndërsa Steven Gerrard dhe Emile Heskey shënuan nga 1 gol secili për ta futur ndeshjen në histori. Botërori 2010, një tjetër gol fantazmë: Gjermania me yjet e rinj e mposhti bindshëm 4-1 Anglinë e drejtuar nga Fabio Capello në fazën e 1/8-ave, falë golave të Miroslav Klose, Lukas Podolski dhe 2 nga Thomas Muller. Por kur ndeshja ishte 2-1, Frank Lampard realizoi një gol të shkëlqyer, që nuk u akordua kurrë nga gjyqtari, edhe pse e kishte kaluar dukshëm vijën fatale pas përplasjes në traversë.
Angli-Gjermani, në “Wembley”. Luhet për një vend në çerekfinalet e Euro 2020. Gjithçka duket e “organizuar” për të ofruar një spektakël të paharruar, të cilin këto dy skuadra e kanë dhuruar edhe herë të tjera në të kaluarën.
Dy rivalët e vjetër, brenda dhe jashtë fushës së futbollit, do të përballen në sfidën e radhës në stadiumin madhështor të Londrës, të martën e ardhshme. Para se të mbërrijë “ora e të vërtetës”, rikujtojmë ndeshjet më të forta dhe të luftuara mes “3 Luanëve” dhe “Die Mannschaft”. (A2 Televizion)
Galeria fotografike ( )