Me tre golat e shënuar përballë Perusë, Neymar ngjitet në vendin e dytë të renditjes historike për golashënuesit e përfaqësueses së Brazilit.
Me paraqitjen e bërë, kapiteni i “Selecao” kaloi në vendin e dytë, një legjendë si Ronaldo “fenomeni”.
Neymar numëron 64 gola të realizuar në 103 ndeshje me Brazilin, ndërsa Ronaldo kishte shënuar 62 herë në 98 ndeshje, gjatë karrierës 17-vjeçare, në të cilën ka fituar dy herë Kupën e Botës, dy herë Kupën e Amerikës dhe një Kupë të Konfederatave.

Tashmë, vetëm Pele ka shënuar më tepër se 28-vjeçari. Diferenca nuk është e madhe, sepse me 77 gola me “seleçao”-n, “O’Rei” është vetëm 13 rrjeta larg. Duke vlerësuar se është në moshë 28-vjeçare, Neymar i ka të gjitha shanset për ta thyer edhe këtë primat dhe t’i rrëmbejë fronin Pelesë.
Ndaj Perusë, sulmuesi i Paris Saint Germain realizoi tre gola, dy nga të cilët me 11-metërsh. Vetëm pak ditë më parë, Neymar u kthye të luante me përfaqësuesen e Brazilit pas 11 muajve mungesë, ku dha dy asist në fitoren me goleadë 5-0 ndaj Bolivisë, ndërsa skuadra ruan ecurinë perfekte në startin e kualifikueseve të Botërorit 2022. (A2 Televizion)