Në historinë e sportit modern, kanë qenë disa femra që në disiplinat respektive kanë lënë gjurmë. Në fotogalerinë e mësipërme njihuni me këto personazhe dhe arritjet e tyre.
Alfonsina Strada – Është e vetmja femër që ka marrë pjesë në Xhiron e Italisë, një nga garat më të famshme të çiklizmit. Fitoi 36 gara duke konkurruar mes meshkujve dhe mori nofkën “Djalli me fustan”. Alice Coachman – Luftoi kundër diskriminimit të femrave, por edhe atij racor, duke qenë se ishte një grua me ngjyrë. U bë sportistja e parë afro-amerikane që fitoi një medalje të artë në Olimpiadë, në kërcim së gjati (Londër, 1948). Kathy Switzer - Kathrine Virginia Switzer, sportistja gjermane e lindur në 5 janar 1947, në vitin 1967 u bë gruaja e parë që vrapoi në një maratonë, atë të Bostonit, me numër. Fotoja e saj duke vrapuar, ndërkohë që një nga gjyqtarët mundohej ta largonte nga gara me të shtyra, e shndërroi në ikonë të feminizmit dhe një simbol të luftës për barazi gjinore. Ajo foto u përzgjodh edhe nga revista “Time” si një nga 100 fotot që ndryshuan botën. Enriqueta Basilio – Në 12 tetor 1968, në stadiumin Azteca, atletja Enriqueta Basilio, e cila konsiderohej atletja më e mirë e asaj kohe, shkroi historinë duke ndezur flakën e Lojrave Olimpike. Billie Jean King – Tenistja amerikane dominoi këtë sport në vitet ’60 dhe ’70, ndërsa në vitin 1973 hyri në histori duke luajtur një ndeshje miqësore me një mashkull, Bobby Riggs. Ajo përballje u quajt “Beteja e gjinive” dhe u fitua në 3 sete nga Billie Jean King. Një vit më pas kërcënoi me bojkotim të US Open nëse shpërblimet e sportisteve femra nuk ishin të barabarta me tenistët meshkuj. Kërkesa e saj u pranua. Lusia ‘Lucy’ Harris – 66-vjeçarja konsiderohet si një nga pioneret e basketbollit të femrave. Nadia Comăneci – Rumunia ishte 15 vjeç kur në Olimpiadën e Montrealit të vitit 1976 realizoi performancën e parë perfekte në gjimnastikë, në Lojrat Olimpike. Në karrierë arriti të fitonte 5 medalje të arta, 3 argjendi dhe një bronzi. Martina Navratilova – Tenistja me shtetësi çeke dhe amerikane, konsiderohet një nga tenistet më të mira në histori. Ajo ka fituar 18 Grand Slam-e. Kur mbushi 18 vjeç, kërkoi azil politik në SHBA. Në 1981 shprehu hapur biseksualitetin e saj, diçka tabu në sport. Hassiba Boulmerka – Një nga sportistet më të rëndësishme të historisë dhe një simbol i sportit afrikan. Algjeriania fitoi medalje të artë në Botërorin e Atletikës “Tokio 1991” dhe një vit më vonë fitoi medaljen e parë të artë të Algjerisë në Olimpiadë. Por, sukseset e saj nuk ishin të mjaftueshme dhe atdheu i saj e përbuzte, madje e kërcënoi me vdekje. Arsyeja? Garonte me kokën zbuluar dhe me pantallona të shkurtra. Radikalistët e sulmonin shpesh, duke thënë se nuk ishte myslimane. Simbol i barazisë gjinore dhe lirisë së femrave, shembulli i Hassiba Boulmerka i kaloi kufijtë e sportit. Serena Williams – Tenistja amerikane ka fituar 23 tituj Grand Slam dhe 4 medalje të arta në Olimpiadë, duke u konsideruar si më e mira në histori. Në vitin 2017, fitoi Australian Open duke mos treguar që ishte shtatzënë. Marta Vieira da Silva – Pa dyshim, futbollistja më e famshme në botë. Braziliania është zgjedhur 5 herë si futbollistja më e mirë, ka veshur për 18 vite fanelën e përfaqësueses së Brazilit dhe është golashënuesja më e mirë e historisë së Botërorëve për femra.
(A2 Televizion)