Grenell në Kosovë: Formimi i Qeverisë nuk më përket mua

Nga A2 CNN
23 Janar 2020, 14:00 | Kosova
Grenell në Kosovë: Formimi i Qeverisë nuk më përket mua

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadori Richard Grenell, mbërriti të enjten në Prishtinë.

Ai kërkon që Prishtina të mos bëhet si Berlini apo Londra, sa i përket vonesave në formimin e qeverisë së re.

Zyrtari i presidentit Donald Trump, pas takimit me liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se po monitoron situatën në Kosovë.

 “Çështja për formimin e Qeverisë, nuk më përket mua. Por unë i tregova Kurtit që edhe vende si Britania e Madhe dhe Gjermania kishin telashe për lidhjen e koalicioneve për formimin e Qeverisë. Unë i thashë se po i monitorojmë për të parë se çfarë po ndodh. I inkurajoj që të ndjekin rregullat dhe ligjet, siç kanë bërë gjithë të tjerët”, deklaroi Grenell.

 I dërguari i SHBA u takua dhe me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.

https://a2news.com/2019/10/04/ambasadori-amerikan-ne-gjermani-emerohet-i-derguar-special-per-bisedimet-kosove-serbi/

Pas mbërritjes në Prishtinë, Grenell pa humbur kohë zhvilloi dhe një darkë pune me presidentin, Hashim Thaçi, ku në fokus pati gjetjen e një zgjidhje për konfliktin me Serbinë.

 “Presidenti Trump ka qenë i fokusuar për të zgjidhur këtë problem, duke mos shikuar mbrapa, duke mos i përdorur të njëjtat argumente të vjetra politike. Ne dëshirojmë të bëjmë progres në këtë regjion në Kosovë dhe Serbi, në frontin ekonomik”, tha Grenell.

Pas vizitës në Prishtinë, Grenell do të vizitojë Beogradin, ku të premten do të takohet me presidentin serb Aleksandër Vucic. Ai viziton këto dy shtete, disa ditë pas arritjes së marrëveshjes për hapjen e linjës ajrore mes Prishtinës dhe Beogradit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos