Greqia në ferrin e flakëve, situatë alarmante në Evia, mijëra të evakuuar

Nga A2 CNN
9 Gusht 2021, 10:50 | Ballkani

Greqia vijon të jetë e mbërthyer nën ferrin e flakëve. Situata mbetet e rëndë ne ishullin grek te Evias, duke detyruar banorët të largohen drejt zonave më të sigurta pranë detit.

Më shumë se 2 mijë persona janë evakuuar, me të moshuarit që janë transportuar me tragete.
“Vendosëm të evakuohemi pasi kishim frikë. Jetojmë shumë afër këtu po u tmerruan pasi flakët filluan të ngriheshin dhe në gjendjen time, shtatzënë me një fëmijë të vogël, nuk u ndjeva e sigurt”, shprehet një banore.

Dy vatra zjarri në Evia, ishull në verilindje të Athinës, kanë shkatërruar mijëra shtëpi dhe hektarë tokë, bashkë me një numër banesash dhe biznesesh. Zjarrëfikësit po luftojnë prej 7 ditësh për t'i mbajtur larg flakët nga zonat e banuara, në fshatrat rreth ishullit.

Autoritetet lokale thonë se nuk kanë marrë ndihmë të mjaftueshme për të luftuar flakët, dhe se pjesë të ishullit janë shkatërruar plotësisht. Por zv.ministri i mbrojtjes civile thotë se avionët ishin përballur më një sërë vështirësish për shkak të shikueshmërisë së ulët.

“Beteja në frontin e e zjarreve, kryesisht në Evia, Atikë dhe disa pjesë të Peloponezit ka vijuar përgjatë gjithë natës, me përfshirjen e forcave zjarrëfikëse, ushtrisë, policisë, rojes bregdetare dhe zjarrfikësve të ardhur nga një sërë vendesh që po na ndihmojnë”, u shpreh ai.

Më shumë se 260 mijë hektarë tokë është djegur në Evia, rajonin e Atikës dhe Laconia. Greqia po përjeton valën më të rëndë të të nxehtit me temperaturat që i tejkaluan 45 gradë celsius. Franca, Gjermania dhe Britania e Madhe u janë përgjigjur thirrjes së Greqisë për ndihmë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos