Atentati në Fier, humb jetën edhe nipi i Sel Çamit, Jakup Hasani

Nga A2 CNN
24 Nëntor 2026, 07:23 | Kronikë
Atentati në Fier, humb jetën edhe nipi i Sel Çamit, Jakup

Shkon në dy numri i viktimave nga atentati i të hënës në Fier. Jakup Hasani, nipi i Sel Çamit, humbi jetën në spital, pasi mbeti i plagosur një ditë më parë nga sulmi me armë ndaj xhaxhait të tij.

Jakup Hasani kishte marrë tre plumba në trup dhe pas përfundimit të operacionit, ishte dërguar në repartin e reanimacionit, nën kujdesin e vazhdueshëm mjekësor si dhe nën masa të rrepta sigurie. Por nuk ia doli të mbijetojë. 

Vrasja e Selami Hasanit në Fier ka çuar tre persona në Komisariatin e Policisë, të cilët janë pytetur në cilësinë e personave që mund të kenë dijeni për ngjarjen.

Kamerat e sigurisë fiksuan praninë e një automjeti Volvo pranë banesë së Hasanit, e cila u gjend e djegur te kthesa e Pojanit, teksa dyshimet janë edhe për dy persona të pikasur me kapuçë e rroba të zeza, por policia ende nuk ka konfirmim dhe vijon të jetë në kërkim të autorëve, shkruan A2.

Viktima Selami Hasani, ka qenë i dënuar me 25 vite burg për vrasjen e Julian Isufajt, nipit të Arben Isufajt, i njohur si Ben Qimja në mars të vitit 2002. Në lidhje me këtë denim, viktima Hasani ishte liruar në 3 nëntor të këtij viti nga burgu i Fushë-Krujës. Mendohet se ekzekutimi i 60-vjeçarit të ketë ndodhur në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e kryer prej tij në mars të vitit 2002. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos