Rusia përgatit satelitin bërthamor në hapësirë? Reagon kreu i NATO-s: Do mbrohemi nga çdo kërcënim

Nga A2 CNN
24 Nëntor 2026, 08:02 | Bota

Rusia përgatit satelitin bërthamor në hapësirë? Reagon

Kreu i NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar se aleanca do të mbrohet nga çdo kërcënim në hapësirë, pas raportimeve se Rusia po përgatitet të lëshojë një satelit të pajisur me armë bërthamore.

Sipas mediave gjermane, raportet e inteligjencës për një lëshim të mundshëm brenda 60 ditëve të ardhshme janë ndarë këtë muaj mes vendeve anëtare të NATO-s. Megjithatë, nuk është bërë e ditur se cili shtet i ka hartuar këto raporte.

I pyetur për këto informacione, Rutte u shpreh: “Ne do të sigurohemi gjithmonë që të mbrojmë çdo centimetër të territorit të NATO-s. Kjo përfshin edhe garantimin e sigurisë sonë në aspektin e hapësirës”.

Nga ana tjetër, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se nuk i kishte parë raportet e fundit, por hodhi poshtë informacionet e bazuara në “burime të panjohura”, duke i cilësuar si pretendime që “vështirë se ia vlen të merren seriozisht”.

Edhe ambasada ruse në Berlin i tha mediave gjermane se i kundërshtonte ato që i quajti “akuza të pabazuara”, duke pretenduar se raportimet janë pjesë e një “fushate propagandistike”.

Gjatë një konference për shtyp në Berlin, Rutte theksoi se NATO ka në dispozicion disa alternativa për t'iu përgjigjur kërcënimeve të tilla.

“Kur bëhet fjalë për fushën ushtarake, ne do të vlerësojmë gjithmonë masat tona të parandalimit dhe mbrojtjes, si dhe do të bëjmë përditësimet e nevojshme”, deklaroi ai.

Duke iu referuar burimeve anonime nga ushtria dhe shërbimet e inteligjencës gjermane, transmetuesit NDR dhe WDR, si dhe gazeta “Sueddeutsche Zeitung”, raportojnë se sateliti rus mban emrin “Sputnik-S” dhe është i pajisur me një kokë bërthamore.

Sipas raportimeve, ai mund të përdoret për të ndërprerë funksionimin ose për të shkatërruar satelitë të tjerë, përfshirë ata që janë thelbësorë për komunikimin dhe vëzhgimin. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos