Grupi arbëresh “Shega”, i këndon dashurisë me gjuhën e të parëve

Nga A2 CNN
27 Dhjetor 2021, 08:27 | Aktualitet
Grupi arbëresh “Shega”, i këndon dashurisë me

‘’Shega” është një grup arbëresh që i këndon dashurisë. Ata janë katër të rinj nga Hora e Arbëreshëve, qytezë siçiliane e themeluar nga mërgimtarë shqiptarë para disa shekujsh, e ku ende sot është e gjallë dhe e paprekur gjuha, kultura dhe identiteti arbëresh.

Rrugëtimin e tyre muzikor, ky grup ka vendosur ta pagëzojë me emrin “Shega”, në mënyrë që edhe në emërtim të ndjejnë diçka nga prejardhja e tyre. Për ta, ky frut simbolizon bashkimin dhe vëllazërinë.

Shumësia e kokrrave të shegës dhe uniteti i tyre, për ta përfaqëson vetë komunitetin e arbëreshëve. Ky rrugëtim i tyre drejt Shqipërisë nuk është i rastësishëm. Grupi “Shega” do të konkurrojë për herë të parë në edicionin e 60-të të Festivalit të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar.

Kënga e tyre e titulluar "Një", flet për dashurinë, muzikën dhe komunitetin. Me një këngë të shkruar, siç vetë ata thonë me shqipen e kohës së Skënderbeut që u rrënjos në hapësirat e Kalabrisë dhe Siçilisë, ata nuk i fshehin emocionet e të kënduarit në atdheun e të parëve, e veçanërisht në festivalin e rëndësishëm të këngës.

Grupi arbëresh ka performuar për herë të parë në Shqipërinë stinën e verës, ku prezantuan albumin e tyre “Ariana” përpara publikut shqiptar, e i dhanë pak shije arbëreshe netëve të nxehta. Për muzikantët që luanin për herë të parë në tokën amë, e për publikun që dëgjonte për herë të parë tingujt e muzikës shqiptare të paprekura në shekuj, ishte një emocion i ndërsjellë.

Të rinjtë kanë 7 vite që janë konsoliduar në një grup të mirëfilltë muzikor, por miqësia mes tyre i ka rrënjët e thella. Ata shprehen se janë rritur bashkë dhe se tingujt muzikorë kishin lënë gjurmë në shpirtin e tyre prej shumë motesh, pasi janë rritur me këngë arbëreshe tradicionale e me këndimet bizantine në kishë. Djemtë e grupit “Shega”, thonë se këndojnë në gjuhën e stërgjyshërve të tyre, por edhe në gjuhën e përditshmërisë, pasi në familjet dhe komunitetin e tyre flitet gjithnjë në gjuhë arbëreshe. Për ta, kjo nuk është një zgjedhje, por një mrekulli antropologjike, e vështirë për t'u shpjeguar sidomos në epokën e globalizimit. Synimi i tyre kryesor, është që ta trajtojnë gjuhën e tyre të zemrës me autenticitet dhe respekt dhe ta shpalosin përmes tingujsh të pastër dhe melodiozë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos