Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, i ka bërë një kërkesë prokurorit të Përgjithshëm, Olsian Çela, dhe kreut të SPAK, Arben Kraja, për t’u vënë në dijeni se në çfarë shkalle procedimi është kallëzimi i bërë ndaj Sali Berishës, në 2017.
Balla i kërkon informacion Prokurorit të Përgjithshëm dhe kreut të SPAK-ut në lidhje me procedimet e paraqitura nga Kuvendi pas hetimit parlamentar mbi privatizimin e OSSH te CEZ.
Raporti përfundimtar i Komisionit Hetimor për privatizimin e OSSH-së, i është dorëzuar prokurorisë në 2017, por socialistët nuk kanë marrë një përgjigje, mbi fazën në të cilin ndodhet çështja.
Një ditë më parë në Kuvend, Taulant Balla kërkoi përgjigje nga SPAK për kallëzimin që është bërë nga Kuvendi i Shqipërisë, kundër Sali Berishës, për shpërdorim detyre dhe ndikim të paligjshëm.
Në fjalën e tij në Kuvend, kryetari i grupit parlamentar socialist, replikoi me Sali Berishën, pas akuzave të këtij të fundit se SPAK nuk po vepron për atë që opozita e quan afera e inceneratorëve. (A2 Televizion)