
Kryetari i Dhomës së Avokatëve, Maksim Haxhia, kërkoi nga faktorët kryesorë që kanë hartuar hartën e re gjyqësore që të kenë kujdes, pasi me propozimet e deritanishme shënohen hapa pas.
“Nuk duhet të kthehemi në ato hapa që i kemi provuar tashmë, por as të ndërmarrim hapa ekstreme. Kur them të mos kthehemi, do të thotë që ne kemi qenë me një gjykatë apeli, në vitin 1994, dhe të gjithë e dimë që ajo gjykatë filloi të prodhojë korrupsionin. Megjithatë, nxori edhe kuadro të ndershëm. E dyta, nuk mund të kalojmë nga ekstremi në ekstrem. Nga 6 apele ta bëjmë me një apel. Duhet ta vendosim problematikën në funksion të zgjidhjes reale”, tha Haxhia.
Më tej, ai theksoi se kjo është reformë e hartës gjyqësore: “Kjo është hartë gjyqësore apo reformë e hartës gjyqësore? Kështu siç bëhet, është reformë e hartës. Atëherë kemi dy reforma që nuk do t’i përballojmë dot”. (A2 Televizion)