Gurakuqi: Parlamenti, institucion njëpartiak dhe sektar

Nga A2 CNN
20 Janar 2020, 10:34 | Politikë
Gurakuqi: Parlamenti, institucion njëpartiak dhe sektar

Romeo Gurakuqi, pedagog dhe ish-deputet i Partisë Demokratike, deklaroi në studion e “Ditari” në A2 se “sot Parlamenti është një institucion njëpartiak dhe sektar” që, sipas tij, “vulos vendimmarrjet që merren në restorantet ku drekon kryeministri”.

“Parlamenti është një noter i vendimeve që kupola e PS-së merr për fatet e vendit. Parlamentarizmi sot është fiktiv dhe është për të ardhur keq që 100-vjetori i parlamentarizmit festohet me të tillë drejtues të klasës politike socialiste, që e shkatërruan atë”, shtoi Gurakuqi.

Ish-deputeti demokrat tha: “Opozita po përpiqet të rikthejë legjitimitetin e Parlamentit, po punon ngushtë me faktorin ndërkombëtar për këtë. Opozita nuk mund të ishte fasadë dhe unë e konsideroj lënien e mandateve rrjedhë logjike të asaj që kisha deklaruar që në vitin 2015: sovraniteti i rrëzuar i Parlamentit”.

Në lidhje me tryezën e Reformës Zgjedhore, Gurakuqi theksoi: “Mazhoranca zgjodhi të vendosë në atë tryezë personin e akuzuar nga opozita pas përgjimeve të BILD (Damian Gjiknuri). PD-ja po i bindet, le të themi, ndërhyrjes së ndërkombëtarëve dhe garancisë së dhënë prej tyre, për të shkuar drejt një procesi zgjedhor të lirë dhe të ndershëm”.

Sipas Gurakuqit, “koha e Edi Ramës dhe këtij Parlamenti që po bën programe për festime ka marrë fund”.

“Në krye të vendit duhet të ketë një kryeministër të ditur, për të korrigjuar Kushtetutën, për të vazhduar Reformën në Drejtësi duke hequr shërbëtorët e diktaturës nga drejtimi dhe duke vendosur në sistemin e drejtësisë doktorantët e diplomuar jashtë shtetit”, nënvizoi ish-deputeti i PD-së. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos