
Anulimi i Lojërave Olimpike “Tokyo 2020” do të ishte e paimagjinueshme, tha guvernatorja e Tokios, Yuriko Koike. Duke folur për gazetarët pas shpalljes së koronavirusit pandemi nga ana e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Koike tha: “Sigurisht që do të ketë pasoja, por është e paimagjinueshme që të anulohen”.
Edhe organizatorët e Olimpiadës kanë deklaruar deri tani se përgatitjet janë duke vazhduar si normalisht, edhe pse po monitorojnë situatën. “Do të vazhdojmë ta monitorojmë situatën dhe do të koordinohemi me qeverinë japoneze, autoritetet lokale për t’u siguruar që Lojërat Olimpike të zhvillohen në korrik”, thanë ata përmes një deklarate.
Anulimi apo shtyrja e Olimpiadës do të kishte humbje të mëdha ekonomike, por aktivitete të tjera sportive në botë janë pezulluar tashmë në të gjithë botën. Lojërat Olimpike janë programuar të nisin më 24 korrik. (A2 Televizion)