Një prej fenomeneve më shqetësues të viteve dhe dekadave të fundit është prerja pa kriter e pyjeve. Motosharrat nuk po i kursejnë sipërfaqet pyjore në Shqipëri. Megjithëse në vitin 2016 hyri në fuqi “Moratoriumi për Mbrojtjen e Pyjeve”, të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se vendi po humb mesatarisht 20 mijë hektarë pyje.
Prerja nuk ka kursyer halorët, fletorët apo shkurret, ndërsa pisha ahu është “viktima” kryesore. Duke përllogaritur sipërfaqen e shkatërruar në 5 vitet e fundit, shtuar edhe dëmin e shkaktuar deri në fund të 2022-shit, dëmi ekonomik shkon në mbi 755 milionë euro.
Me gjithë problematikën e trashëguar, me një ligj në fuqi që ndalon rreptësisht prerjen e pyjeve, masat ndëshkuese ndaj autorëve janë minimale. Të dhënat nga Prokuroria e përgjithshme tregojnë se vetëm 2 persona janë dënuar në 5 vitet e fundit për shkatërrim të pyjeve.
Por fenomeni nuk është vetëm shqiptar. Pemët e lisit, ahut dhe pishës që mbulojnë pyjet e Gjermanisë, po priten pa leje, duke alarmuar autoritetet vendase. Ato kanë ndërmarrë një nismë të re, duke inkurajuar alpinistët të raportojnë pamjet e trungjeve të prera ose njerëzve që kryejnë këto vepra të paligjshme.
Prerja e pemëve është kthyer në një problem global. Për ta parandaluar këtë, kamera të fshehta janë vendosur në pyjet anembanë botës – në pyjet e Kalifornisë, pyjet bregdetare të Paqësorit dhe pyjet tropikale të shiut të Amerikës së Jugut dhe Azisë Juglindore. Sipas shifrave më të fundit nga Shërbimi Pyjor i SHBA-së, çdo vit vidhet lëndë drusore me vlerë rreth 100 milionë dollarë në Amerikë. Pemët që priten janë kryesisht arrat, lisat dhe pishat.
Gjatë periudhës së pandemisë Covid-19, çmimi i druve u rrit shumë dhe njerëzit detyroheshin të prisnin pemë nëpër pyje. Kryesisht ky fenomen vihej re në zonat rurale, ku shtëpitë ngrohen me oxhakë ose sobë druri. Përveç tyre, shpesh janë kapur duke siguruar dru në mënyrë të paligjshme edhe shitësit me pakicë të mobileve. Çmimi i druve është rritur ndjeshëm kudo në SHBA dhe në të gjithë Evropën. Bullgaria, Zvicra dhe Polonia raportuan, dimrin e kaluar, se çmimi i tyre ishte dyfishuar.
Fenomeni i prerjes së pemëve po dëmton shumë biodiversitetin dhe për rrjedhojë po ndikon edhe në ndryshimet klimatike. (A2 Televizion)



