
Gjykata e Lartë i vë kapak historisë së organizatës kriminale “Hakmarrja për drejtësi”, përballja e parë e së cilës me drejtësinë daton 27 vite me parë. Një Kolegj Penal konfirmoi këtë të martë vendimin e Apelit për Krimet e Rënda të vitit 2017, që deklaroi të pafajshëm 10 tëakuzuarit e dosjes. Kolegji i përbërë nga gjyqtarët Ilir Panda, Ervin Pupe dhe Enton Dhimitri vendosi të mos pranojë kundërshtimin e bërë nga prokuroria ndaj vendimit të pafajësisë. Kjo është hera e tretë që Gjykata e Lartë shprehet për “Hakmarrjen për drejtësi”, emri i së cilës doli në skenën publike në vitin 1996, e më pas u lakua edhe nga politika.
Të akuzuarve si pjesë e saj, disa nga të cilët fituan azil politik në Belgjikë pas vitit 1997, iu faturuan 17 ngjarje kriminale të ndodhura në vitet 1993-1996. Mes tyre ishin vrasja e ish-drejtorit të burgjeve, Bujar Kaloshi, bomba që vrau 4 vetë në supermarketin “VEFA”, si edhe rrëmbimi i një fëmije.
Në përballjen me drejtësinë në vitin 2008, dy prej të pandehurve u dënuan përjetë, ndërsa për të tjerët u dhanë 154 vite burg në total. Pas endjes për 20 vite në të gjitha shkallët e gjyqësorit, përfshi Kushtetuesen, në shkurt 2017 Apeli i Krimeve të Rënda dha pafajësi për gjithë të pandehurit.
Apeli arsyetonte në vendim se organizata kriminale “Hakmarrja për drejtësi” nuk ka ekzistuar asnjëherë dhe se çështja penale e ngritur ndaj 10 personave të akuzuar si anëtarë të saj është tërësisht e falsifikuar dhe e montuar nga persona të papërgjegjshëm të strukturave të ndryshme shtetërore përmes provave të stisura dhe të pavërteta. (A2 Televizion)