Halloween i përgjakur në Korenë e Jugut, 151 viktima në rrugët e Seulit

Nga A2 CNN
29 Tetor 2022, 18:52 | Bota

Ka shkuar në 151 numri i viktimave, ndërsa 82 të tjerë kanë mbetur të lënduar si pasojë e problemeve me zemrën apo frymëmarrjen si pasojë e shtyrjes së turmës gjatë festimeve të Halloween në Seul të Koresë së Jugut.

Shërbimet e urgjencës thonë se 19 prej viktimave janë shtetas të huaj, ndërsa shumica e viktimave ishin adoleshentë ose mbi 20-vjeçarë.

Situata në rrugët e kryeqytetit koreano-jugor ishte tepër e trishtë me trupat e pajetë të shtrirë, ndërsa dhjetëra të tjerë merrnin ndihmën e parë nga ambulancat që me zor se çanë turmën.

Tragjedia mendohet të ketë ardhur si pasojë e përplasjes së dy turmave në zonën Itaewon, ndërkohë që hetimet vijojnë.

Sipas raportimeve paraprake, në qytet ishin grumbulluar më shumë se 100 mijë veta për të kremtuar Halloween, për herë të parë pa maska anti-covid.

Incidenti ndodhi rreth orës 22:20 të mbrëmjes së djeshme pasi një numër i madh njerëzish u grumbulluan në një rrugicë të ngushtë gjatë festimeve të Halloween, tha Choi Sung-beom, kreu i Stacionit të Zjarrfikësve.  (A2 Televizion)

https://a2news.com/2022/10/29/imazhet-dritheruese-nga-tragjedia-e-seulit-te-asaj-qe-duhet-te-ishte-vetem-nje-feste/

A2 CNN Livestream

Latest Videos