
Pengesat në rrugën e çeljes së negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut duket se janë shembur. Kryeministri i Maqedonisë së veriut Dimitar Kovaçevski, tha mbrëmjen e së enjtes, se Franca ka modifikuar propozimin për zgjidhjen mosmarrëveshjeve mes Shkupit dhe Sofjes, duke adresuar disa nga shqetësimet e palës maqedonase, çka mund të zhbllokojë procesin e zgjerimit të BE. Kovaçevski tha se plani dhe strategjia e tyre kishin dhënë rezultate, por shtoi se detajet e plota të propozimit të ri francez do të publikoheshin më vonë.
“Sa u përket çështjeve historike kërkesa jonë ishte që ato nuk duhet të jenë pjesë e kornizës negociuese dhe kjo përfshihet në propozimin e ri francez. Propozimi nuk përfshin as protokollin që është miratuar në parlamentin e bullgarisë e që ka të bëjë me gjuhën e Maqedonisë së Veriut”, tha Kovaçevski.
Ai tha se propozimi do të diskutohet në të gjitha institucionet e rëndësishme të vendit, në parlament, me shoqërinë civile dhe ekspertët, por nuk është e qartë se sa kohë do të vazhdojnë debatet. “Për propozimin francez do të ketë debat të gjerë në opinion, me presidentin, partitë e koalicionit, opozitën dhe shoqërinë civile dhe se, më pas, do të vendoset për miratimin e tij në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut”, tha ai. Lidhur me propozimin e ri u prononcuan edhe Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, dhe ministri i Jashtëm, Bujar Osmani të cilët thanë se ai është shumë më i mirë se teksti i mëparshëm.
Por, ndryshe nga drejtuesit e institucioneve, opozita maqedonase dyshon se “propozimi i modifikuar është në kundërshtim me interesat maqedonase”. Kryetari i VMRO DPMNE, Hristijan Mickoski, kërkoiqë qeveria të publikojë menjëherë propozimin në faqen e saj në internet. Sinjali i parë shpresëdhënës ditën e djeshme erdhi nga presidenti francez Emmanuel Macron. Ai tha se mendon se është gjetur një zgjidhje kompromisi për kornizën e negociatave të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, e cila do të përfshinte edhe Bullgarinë. (A2 Televizion)