
Mazhoranca pranoi amendamentin e grupit të Enkelejd Alibeajt për të deklasifikuar të gjithë arkivën e ish-sigurimit të shtetit. Dhënia e kësaj dakordësie në Komisionin e Ligjeve u shoqërua me shkëmbim votash nga ana e demokratëve për të miratuar edhe ndryshimin tjetër ligjor, atë të socialistëve për hedhjen poshtë të certifikatave të pastërtisë nga Komisionet Mezini e Bezhani.
Por nëse deri në këtë pikë kishte debat konstruktiv, gjithçka ndryshoi në momentin kur do të duhej të shqyrtohej amendamenti i dytë i demokratëve, që lejonte çdo person të ketë mundësi të aksesojë këto dokumente.
“Qëndrimi ishte i përbashkët, hapja totale e dosjeve, nëse kemi ndryshim qëndrimi hajde ta diskutojmë”, deklaroi Gazment Bardhi.
“Deklasifikimi nuk ndodh automatikisht. Gjykoj që është qasja e duhur për të gjitha ato arsyet që kemi thënë që ligji duhet të ruaj paqen sociale dhe të mos shërbejë si katalizator për konflikt. Do të jetë Autoriteti i Dosjeve që do të vendosë nëse në raste të veçanta një dosje e caktuar do të vijojë të mbahet sekret, në rastet kur gjykon se cenohet siguria kombëtare”, shtoi Felaj.
Ndërsa opozita preferonte që kushdo të kishte mundësinë e aksesit në dokumente sipas ligjit për të drejtën e informimit.
“Ajo që kemi miratuar një orë më parë thotë shprehimisht, përjashtimisht konsiderohen të deklasifikuar, pra nuk kanë nevojë për vendim të autoritetit, por konsiderohen të deklasifikuar dokumentet e ish-sigurimit të shtetit”.
“Ne kemi kundërshti. Pse kemi kundërshti? Sepse ju thoni se çdo qytetar në republikën e Shqipërisë të njihet me këtë dokumentacion. Nuk ka qenë ky qëllimi i ligjit në 2015. Ajo që PS kërkoi në nisje të këtij diskutimi është që certifikatat e pastërtisë Mezini e Bezhani nuk vlejnë më. Do ta shikoni që barriera për median dhe kërkuesit ka rënë se nga sot ato do të kenë mundësi t’i shikojnë edhe me emrat e bashkëpunëtorëve”, u përgjigj Felaj.
Katër orë mbledhje nuk mjaftuan që deputetët të mund të miratonin edhe në tërësi këto amendamente, duke vendosur shtyrjen e tyre për në mbledhjen e ardhshme, kohë e cila do të shërbejë edhe për të gjetur dakordësinë për të bashkuar kartonët në seancë plenare. (A2 Televizion)