Berisha: PD në misionin për shembjen e monizmit absolut

Nga A2 CNN
7 Tetor 2022, 10:49 | Politikë
Berisha: PD në misionin për shembjen e monizmit absolut

Sali Berisha, kryetar i Partisë Demokratike, zhvilloi këtë të premte një takim me demokratët në Memaliaj.

Ai u shpreh se PD-ja është sot në misionin e saj të shembjes së monizmit absolut, i cili “këtë vit është po aq absolut sa ishte në shkurtin e vitit 1991”.

“Shpreh krenarinë time dhe të mbarë demokratëve shqiptarë për demokratët e Memaliajt, bastion i demokracisë që në ditët e para të themelimit të PD-së.

Ju keni qenë gjithnjë një mbështetje e fuqishme dhe cilësore e PD-së në jugun e vendit, prandaj mirënjohja jonë është e pakufishme.

Unë vij sot këtu në një moment shumë të rëndësishëm për Shqipërinë dhe shoqërinë shqiptare. Vij në një moment kur PD-ja, pas një procesi të pashembullt në historinë e një force politike, në të cilën u përball e vërteta me gënjeshtrën, u përball e vërteta me falsitetin në të gjitha aspektet, triumfoi në mënyrë të fuqishme, të pandalshme, qëndrimi i demokratëve ndaj të vërtetës.

PD u themelua si një forcë e tillë, si forcë e të vërtetave të mëdha, universale, por edhe si forcë e të vërtetave të mëdha shqiptare. Kështu që sot, në këtë moment, ajo është në një mision të madh, është në misionin e shembjes së monizmit absolut, i cili këtë vit është po aq absolut sa ishte në shkurtin e vitit 1991.

Edi Rama ka rrëmbyer, duke shkelmuar votën tuaj, të gjitha pushtetet dhe i përdor ato me një qëllim kryesor: pasurimin e vet, vjedhjen e fondeve publike, mashtrimin e përditshëm tuaj, arrogancën dhe shumëzimin me zero të qytetarëve të Memaliajt dhe Shqipërisë.

PD-ja, në këtë betejë mes të vërtetës dhe mashtrimit, premtoi ndryshimin. Premtoi se do ndryshojë vetë. Premtoi se do u ofrojë shqiptarëve ndryshimin. Këtë po përpiqemi fort ta bëjmë realitet”, u shpreh Berisha. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos