
Ndryshe nga fillimi I epidemisë, mbyllja në shtëpi nuk do të jetë më strategjia e vetme në betejën kundër Covid-19. Ekspertët po gjejnë format për të hyrë në një normalitete të ri, siç e quajnë ata, duke lehtësuar masat dhe rihapur disa biznese.
"Mbyllja në shtëpi ka qenë arma jonë më e mirë për të kontrolluar pandeminë. Por nuk mund të vazhdojmë pafund me mbylljen. Jemi të detyruar të gjejmë rruge, për një normalitet të ri. Jemi duke përjetuar një nga momentet e para të lehtësimit të masave dhe po fillojmë me bizneset me risk të ulët”, shpjegon epidemiologu Alban Ylli.
Por hapja graduale nuk përjashton mundësinë e nisjes se një valë të dytë të infektuarish. Ylli tregon për A2 se risku është i planifikuar. Por nëse numri i të prekurve nga Covid-19 do t’i kalojë parashikimet e specialisteve, atëherë do t’i rikthehemi sërish izolimit.
“Duhet ta pranojmë që në po e rrisim riskun për shoqërinë, por nga ana tjetër janë përgatitur protokollet e masave dhe distancimit fizik. Nëse pas dy javësh do të shohim rezultate pozitive, autoritete do të avancojnë me hapjen e shoqërisë, gjithmonë duke respektuar protokollet. Por nëse do të kemi parametra të përkeqësuar, me gjasë do të kthehemi në masa drastike”, thotë Ylli.
Edhe pse me shumë të panjohura, një gjë është e sigurt. Virusi do të qarkullojë bashkë me të nxehtin në verë. “Ky koronavirus i ri ka qarkulluar në vende me temperatura të larta, ka shkaktuar pandemi dhe shumë të vdekur. Besojmë se gjatë verës do të kemi një situatë më të qetë, por vigjilenca jonë duhet të jetë më e lartë vjeshtën dhe dimrin e ardhshëm”, shpjegon Ylli.
Koha e zbulimit të vaksinës apo ilaçit kurues të Covid-19 është kaq e paditur sa edhe çështja se nëse do t’i kthehemi ndonjëherë jetës së dikurshme. “Ata që japin një përgjigje të fortë për këtë, unë besoj se vënë baste. Askush nuk e di sot në botë. E vetmja gjë që mundet të parashikojmë është që me një hapje graduale ta mbajmë nën kontroll pandeminë”. (A2 Televizion)