
Franca ka ngritur shqetësimin për rrezikun e një përshkallëzimi të mundshëm bërthamor me Rusinë, nëse raketat me rreze të gjatë veprimi të përdorura nga vendet evropiane keqinterpretohen nga Moska si pjesë e një ofensive të drejtpërdrejtë kundër territorit rus.
Sipas një raportimi të Financial Times, Parisi i ka kërkuar Berlinit të qartësojë strategjinë e tij për zhvillimin dhe përdorimin e këtyre armëve, duke kërkuar një koordinim më të ngushtë mes dy vendeve për të shmangur rrezikun e një përshkallëzimi të pakontrolluar.
Shqetësimi francez vjen në një kohë kur Gjermania po investon miliarda euro për zgjerimin e kapaciteteve të saj ushtarake. Berlini ka parashikuar rreth 12 miliardë euro për zhvillimin dhe blerjen e sistemeve të reja raketore, përfshirë raketat amerikane Tomahawk dhe sistemet e lëshimit Typhon.
Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar po zhvillojnë gjithashtu një program të përbashkët për krijimin e një sistemi raketor me rreze veprimi deri në 2 mijë kilometra, i cili synohet të jetë funksional deri në vitin 2034.
(A2 Televizion)