Rusia sulmon me "Fab-3000", bazat civile kthehen në varre masive

Nga Erjon Dervishi
11 Nëntor 2026, 18:19 | Bota

Rusia sulmon me "Fab-3000", bazat civile kthehen në varre masive

Pamjet filmike të siguruara ekskluzivisht nga autoritetet ukrainase dhe të analizuara nga CNN zbulojnë detaje të reja mbi mënyrën se si Rusia goditi një strehë nëntokësore në juglindje të Ukrainës, duke përdorur një bombë gjigante të projektuar për të shkatërruar bunkerë. Sulmi i 2 nëntorit ndaj një fshati në jug të Ukrainës shkaktoi vdekjen e më shumë se 50 personave, duke u shndërruar në sulmin më vdekjeprurës rus ndaj Ukrainës gjatë vitit 2026 dhe një prej sulmeve me numrin më të madh të viktimave gjatë gjithë luftës.

Këto pamje të regjistruara nga kamerat e trupit të policisë tregojnë minutat pas goditjes së një ish-shkolle ukrainase nga dy bomba ajrore të drejtuara. Policia beson se dy gra kanë mbetur të bllokuara nën rrënoja, njëra prej tyre ende gjallë. Ajo që policët nuk e dinë ende është se sulmi nuk ka përfunduar.

Shkolla, e kthyer në strehë dhe qendër ndihme, ndodhet në fshatin Komyshuvakha, tashmë e shkatërruar rëndë, vetëm pak kilometra larg vijës së frontit në Zaporizhzhia.

Policia ukrainase ka bërë publike disa pamje të regjistruara nga kamerat e trupit, por CNN pati mundësinë të shikonte ekskluzivisht disa pjesë të tjera, të cilat fillimisht nuk ishin publikuar, të shoqëruara me vulat kohore të dy efektivëve të policisë që ndodheshin në vendngjarje. Nuk mund t'i publikojmë të gjitha pamjet për shkak të shqetësimeve të policisë lidhur me respektimin e familjarëve të viktimave.

Megjithatë, së bashku me dhjetëra video të vendngjarjes dhe fotografi të fragmenteve të municioneve, këto pamje na kanë ndihmuar të rindërtojmë një kronologji paraprake të ngjarjeve të asaj mëngjesi. Policia ukrainase i tha CNN se bombat e para goditën mes orës 9:45 dhe 9:50 të mëngjesit. Koha është një element thelbësor. Këshilli i fshatit kishte njoftuar se shpërndarja e bukës dhe e pakove me produkte higjienike do të bëhej në shkollë, nga ora 10:00 deri në mesditë.

Për muaj të tërë, autoritetet kishin njoftuar publikisht për shpërndarjen e ndihmave në këtë vendndodhje. Deri në orën 10:15, Dmytro Bessedin dhe Mykhailo Romanov, dy efektivë të policisë lokale, ndodhen në vendngjarje, ndërsa kamerat e trupit të tyre regjistrojnë gjithçka. Ata kërkojnë të identifikojnë nëse ka viktima të tjera dhe diskutojnë mënyrën se si mund të arrijnë te gruaja e bllokuar nën rrënoja.

Në orën 10:31, në radion e Romanovit mbërrin një njoftim alarmi: bomba ajrore të drejtuara po shkojnë drejt Orikhivit, rreth 32 kilometra në jug. Në pamje shihet se si ai ia komunikon këtë informacion kolegut të tij, i cili është i regjistruar nga kamera tjetër e trupit. Një minutë më vonë vjen një tjetër njoftim alarmi: bomba po drejtohen drejt këtij fshati. Në orën 10:32, ata nxitojnë t'i fusin të gjithë brenda.

Zbresin tre kate shkallësh, në korridoret e sapolyera të asaj që dikur ishte një shkollë nëntokësore e financuar nga Bashkimi Evropian, e cila tashmë ishte shndërruar në një hapësirë jetike për komunitetin, madje duke shërbyer edhe si një zyrë e improvizuar pune për policinë.

Aty presin. Pastaj, në orën 10:35, dy kamera të ndryshme të trupit regjistrojnë të njëjtën shpërthim. Vladyslav Makhovsky, një vullnetar i ekipeve të para të reagimit ndaj emergjencave, mbërriti brenda pak orësh dhe u përball me pamje apokaliptike.

Kishte një krater gjigant pikërisht aty ku ndodhej shkolla dhe mund të shihje pllakat e dyshemesë. Gjithçka ishte shembur.

Analiza e CNN tregon se krateri i madh ka shumë të ngjarë të jetë shkaktuar nga një bombë FAB-3000, me peshë rreth 2.700 kilogramë (6.000 paund), një bombë e epokës sovjetike, e projektuar për të shkatërruar bunkerë dhe struktura të fortifikuara rëndë.

Dy ekspertë të armatimeve kanë konfirmuar se përmasat dhe karakteristikat e kraterit përputhen me ato që do të shkaktonte një bombë e kësaj madhësie.

Gjithashtu, në këtë video ekskluzive, të siguruar nga CNN prej shërbimeve ukrainase të sigurisë dhe të filmuar ditën e sulmit, hetuesit zbulojnë një fragment të krahut të një municioni mbi çatinë e një ndërtese të dëmtuar.

Dy ekspertë të armatimeve e kanë identifikuar këtë fragment si pjesë të krahut të një pajisjeje ruse të drejtimit të bombave rrëshqitëse. Kjo pajisje përdoret për t'i shndërruar bombat konvencionale me eksploziv të fuqishëm, si FAB-3000, në armë me drejtim preciz.

Përmasat e shkatërrimit nënkuptojnë se shumë prej viktimave ende nuk janë identifikuar.

Rusia nuk ka bërë asnjë koment zyrtar, megjithëse Ministria e saj e Mbrojtjes deklaroi se në atë kohë po sulmonte njësi ushtarake ukrainase në këtë zonë.

CNN i është drejtuar autoriteteve ruse për të marrë një reagim të mëtejshëm.

Ushtria ukrainase mohon që në strehën në fjalë të ishin të vendosura njësi ushtarake, të cilat mund të konsideroheshin objektiv legjitim ushtarak.

Në përgjithësi, shkolla ishte një vend i sigurt, një vend ku njerëzit merrnin ndihma. Njerëzit shkonin atje edhe gjatë natës për të kaluar natën, sepse fshati ishte nën kërcënimin e sulmeve ajrore. Për ta, shkolla ishte një strehë shpëtimi.

Streha që ishte ndërtuar për t'i mbajtur njerëzit të sigurt, tashmë është kthyer në një varr masiv. Përmasat e një prej sulmeve më vdekjeprurëse të kësaj lufte po bëhen ende të qarta. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos