Harta e re gjyqësore, propozohet shkrirja e 19 gjykatave. Hartuesit: Rritet cilësia e gjykimit

Nga A2 CNN
28 Dhjetor 2021, 10:43 | Aktualitet
Harta e re gjyqësore, propozohet shkrirja e 19 gjykatave. Hartuesit: Rritet

Ministria e Drejtësisë dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor dolën me një propozim final për hartën e re gjyqësore në vend. Në këtë projekt parashikohet shkrirja e 10 gjykatave, duke e çuar numrin total të gjykatave të zakonshme të Shkallës së Parë nga 22 në rang vendi në 12 të tilla.

Reduktim i ndjeshëm parashikohet edhe për gjykatat e Apelit të zakonshëm, nga 6 që janë aktualisht në një gjykatë të vetme Apeli në Tiranë. Projekti i pakësimit të gjykatave dhe largimit të tyre në dhjetra kilometra distancë nga qytetarët, sipas aktorëve kryesorë të tij, do të rrisë cilësinë e gjykimeve.   

Sipas variantit final të hartës së re gjyqësore, të paprekura mbeten gjykatat e Shkallës së Parë Tiranë, Vlorë, Elbasan dhe Berat. Në anën tjetër, Gjykatës së Durrësit pritet t’i bashkohet ajo e Kavajës dhe Krujës, ndërsa gjykatës Dibër, ajo e Matit. Pjesë e Gjykatës së Fierit do të jetë edhe Lushnja, ndërsa në jug, Gjykatës së Gjirokastrës do t’i bashkohet Gjykata e Sarandës dhe Përmetit.

Në të njëjtën formë, është propozuar bashkimi i Gjykatës Kukës me atë të Tropojës, i Korçës me Pogradecin, i Lezhës me Kurbinin, si edhe bashkimi i gjykatave të rretheve Shkodër dhe Pukë.

Ndërkohë, riorganizimi i gjykatave prek edhe prokuroritë, që në disa qytete ndan të njëjtën godinë me gjykatat. 

Përveç parashikimeve ligjore për rishikim të hartës gjyqësore, çdo 5 vite, riorganizimi i gjyqësorit në vend lindi për shkak të boshllëkut të madh të krijuar në sistem për shkak të shkarkimeve të gjyqtarëve nga procesi i vetting-ut. 

(A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos