Djegia e mandateve nga ana e opozitës lexohet si “ekstra zgjedhore dhe ekstra demokratike” nga përfaqësuesi i PS-së në KQZ, Eridian Salianji, por në fakt shembuj të përafërt nuk është e thjeshtë t’i radhisësh, të paktën në vendet perëndimore ose të rajonit.
Për të hasur diçka të ngjashme, ish kryetari i KQZ-së Kristaq Kume përmend një shembull disi delikat, kur thotë se “historia njeh dy raste të ngjashme. Është rasti i Benito Mussolinit, dhe ai i Çekisë”.
Dy shembuj dramatikë të historisë evropiane të shekullit të XX, që kanë paraprirë dy diktatura të skajeve të ndryshme.
Realiteti shqiptar duket i ndryshëm, dhe konkretisht për ngërçin e mandateve, ndërkohë që për Salianjin “nuk ka kthim mbrapa” në djegien e tyre, për Kumen një marrëveshje e mundshme mes palëve do të ndryshonte gjithçka, “siç ndodhi në 2017 me marrëveshjen e 17 majit, ku u shkel ligji”. (A2 Televizion)