
Një prej platformave më të mëdha informatike të ushtrisë amerikane, Cloud One, është përfshirë nga një incident i sigurisë kibernetike, pasi hakerë kanë arritur të depërtojnë në sistem, duke ngritur shqetësime për sigurinë e të dhënave sensitive ushtarake.
Sipas raportimeve të mediave të huaja, të cilat u referohen pesë personave të njohur me çështjen, ndërhyrja është zbuluar gjatë muajit të fundit, në kohën kur po kryheshin punime për përmirësimin e sistemit. Incidenti ka shkaktuar ndërprerje dhe kufizime në funksionimin e platformës, ndërsa ende nuk dihet se kush qëndron pas sulmit, sa i gjerë ka qenë depërtimi dhe nëse janë marrë të dhëna.
Cloud One u krijua në vitin 2017 me qëllim bashkimin e shërbimeve teknologjike të Forcave Ajrore amerikane në një platformë të vetme. Sistemi mbështetet në infrastrukturën e kompanive Microsoft, Amazon, Oracle dhe Alphabet dhe përdoret për dhjetëra aplikacione që menaxhojnë të dhënat e personelit, pagat, logjistikën dhe mirëmbajtjen ushtarake.
Rëndësia e platformës bëhet edhe më e madhe për shkak të sistemeve që varen prej saj. Mes tyre është një platformë që mbledh të dhëna nga radarët e mbrojtjes ajrore në Amerikën e Veriut, si dhe një sistem që gjurmon bombat dhe raketat në më shumë se 200 baza dhe vendndodhje të Forcave Ajrore amerikane në mbarë botën.
Pas incidentit janë vendosur kufizime në përdorimin e Cloud One. Është pezulluar kalimi i disa aplikacioneve administrative drejt platformës, ndërsa janë ndaluar përditësimet e aplikacioneve që funksionojnë tashmë në të. Kjo ka penguar personelin e Forcave Ajrore të instalojë përditësime dhe të korrigjojë dobësitë e sigurisë. Gjithashtu, disa përdoruesve u janë hequr të drejtat e administratorit.
(A2 Televizion)