Hetimi ndaj Presidentit/ Mblidhet të hënën komisioni, mazhoranca “harron” shkarkimin e Metës

Nga A2 CNN
12 Korrik 2020, 11:15 | Politikë
Hetimi ndaj Presidentit/ Mblidhet të hënën komisioni, mazhoranca

Komisioni Hetimor për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta mbidhet të hënën për të analizuar raportin të Komisionit të Venecias për emërimet në Gjykatën Kushtetuese, i cili i dha të drejtë Kreut të Shtetit.

Raporti i Venecias nuk gjente arsye për shkarkimin e Presidentit dhe duket se kjo do të reflektohet edhe në qëndrimin e mazhorancës. Burime nga shumica thonë se gjasat janë që në vend të shkarkimit të Ilir Metës, të propozohen ndryshime ligjore apo edhe kushtetuese për të zgjidhur përplasjen institucionale me Kreun e Shtetit.

Pas raportit të Komisionit të Venecias, vetë Presidenti Meta dhe kryeparlamentari Gramoz Ruçi patën një takim, ku dakordësuan ngritjen e një grupi të përbashkët pune Presidencë-Kuvend për çështjet e mbetura pezull, mes tyre edhe emërimet në Kushtetuese, por deri më tani ky grup nuk është ngritur. Ndërkohë, Kushtetua po i nënshtrohet edhe një tjetër procesi ndryshimi, siç është ai për listat e hapura të kandidatëve për deputetë dhe heqjen e koalicioneve.

Ndryshime që është njoftuar se do të votohen në 30 korrik, kur edhe skadon mandati i komisionit hetimor për Presidentin. Fillimisht, komisioni u ngrit për shkeljet e pretenduara të Presidentit për anulimin me dekret të zgjedhjeve të 8 qershorit të kaluar. Më pas, iu bashkangjit edhe hetimi për emërimet në Gjykatën Kushtetuese, kur në vend të Arta Vorpsit, Presidenti zgjodhi Marsida Xhaferrllarin. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos