
Yevgeny Prigozhin, do të prehet në Shën Petersburg, në varrezën Serafimovski. Kështu raportojnë media ruse që shkruajnë për një mobilizim të madh të forcave të rendit për funeralin e ish-liderit dhe themeluesit të grupit famëkeq të mercenarëve Wagner dhe për instalimin e detektorëve të metalit.
Në varrezën Serafimovski prehen edhe prindërit e presidentit rus, Vladimir Putin, përveç shumë ushtarëve dhe funksionarëve të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes.
Nuk dihet se kush do të jenë pjesëmarrësit në ceremoninë e lamtumirës së fundit, por mediat raportojnë për një funeral tepër privat. Sakaq kanë qarkulluar propozime të ndryshme për funeralin e Prigozhin, të gjitha të lidhura me vendet e pushtuara në Ukrainë.
Është folur për një varrosje në Bakhmut, por që autoritetet kanë dashur të shmangin që lamtumira e fundit të shndërrohej në një event mbështetjeje për mercenarët. Megjithatë, ekziston një hije dyshimi që varri i Prigozhin mund të kthehet në një vend kulti për simpatizantët e tij.
Ndërkohë, një hipotezë e re ka dalë në qarkullim lidhur me shkaqet që sollën rrëzimin e avionit të kreut të Wagner. Media ruse, Moskovskij Komsomolets, shkruan se një pajisje shpërthyese mund të jetë vendosur brenda kondicionerit të mjetit fluturues, të ndërruar pas një defekti më 18 korrik.
Avionin e Prigozhin e kanë vizituar në ditën e rrëzimit edhe dy blerës potencialë, drejtues të kompanisë Rusjet, të cilët ishin shoqëruar nga njerëzit më të besuar të shefit të Wagner.
Prigozhin ishte i vetëdijshëm për rrezikun që i kanosej, prandaj vazhdimisht ndryshonte takimet apo udhëtimet e tij në minutat e fundit. Fluturimi i fundit duhej të kryhej në datën 20 gusht, por e shtyu për në 23, ku dhe humbi jetën bashkë me 9 drejtues të tjerë të grupit Wagner. (A2 Televizion)