Hiqet kufizimi për vaksinën, Novak Djokoviç do të mbrojë titullin në Wimbledon

Nga A2 CNN
26 Prill 2022, 17:39 | Sporte të tjera
Hiqet kufizimi për vaksinën, Novak Djokoviç do të

Novak Djokovic do të ketë mundësi të mbrojë titullin kampion në Wimbledon, pasi organizatorët e eventit prestigjioz njoftuan se pjesëmarrja në këtë edicion, do të jetë e mundur edhe pa detyrimin e vaksinimit.

Pas dy vjetëve të trazuar dhe me kufizime nga pandemia, në Grand Slamin e Londrës do të hiqen të gjithë masat shtrënguese. Kjo i mundëson 20 herë fituesit të turneve Slam, që të zbresë në fushë. Nëse edicioni i vitit 2020 u pezullua, Djokovic triumfoi në turneun e vitit 2021.

Ai mposhti italianin Matteo Berretini, duke marrë trofeun e gjashtë në Wimbledon. Djokovic e ka bërë të qartë se nuk dëshiron të bëjë vaksinën kundër koronavirusit dhe për këtë arsye, atij i’u ndalua pjesëmarrja në Australian Open gjatë muajit janar.

Madje, përveç përjashtimit nga eventi sportiv, tenistit i’u pezullua dy herë viza dhe Ministria e Emigracionit vendosi ta deportonte, me gjykatën që la në fuqi masën.

Përveç se në Wimbledon, kampioni 34-vjeçar do të konkurrojë normalisht edhe në turneun French Open, pasi organizatorët në Paris hoqën të gjithë masat kufizuese rreth pandemisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos