
“Personalisht, unë nuk kam pasur raste konkrete të racizmit islamofob, por mes njerëzve ka raste. Mbase myslimanët në momente të caktuara nuk dinë ta përfaqësojnë veten ashtu si duhet, duke lënë hapësira që njerëzve mund t’i krijojnë paragjykime”.
Kështu u shpreh në “I Ftuari” të Endri Xhafos, ish-kryetari i Komunitetit Shtetëror të Kulteve, Ilir Hoxholli.
Ai foli edhe për harmoninë fetare në vendin tonë dhe u shpreh se është e vetmja gjë që politikanët shqiptarë mburren kur shkojnë jashtë vendit.
“Harmoninë fetare e kemi shumë të mirë, të fortë dhe të bukur. Nëse ka diçka që politikanët tanë kanë shkuar në Europë dhe janë mburrur është pjesa e harmonisë fetare. Myslimanët shqiptarët janë njerëzit që e duan më shumë futjen e vendit në BE. Ajo që do të përfitojë Shqipëria i shërben kombit dhe vendit. Unë e kam ëndërr, por edhe shumica e myslimanëve, që Shqipëria të futet në BE. Islami në Europë mund të praktikohet më lirshëm sesa në Shqipëri”, tha Hoxholli. (A2 Televizion)