Rama: Nuk hyhet në BE duke u zhytur në korrupsion, por duke mbështetur drejtësinë e pavarur

Nga A2 CNN
14 Nëntor 2026, 12:12 | Politikë

Rama: Nuk hyhet në BE duke u zhytur në korrupsion, por duke

Gjatë fjalës në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama tha se Shqipëria nuk mund të avancojë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian duke u zhytur në korrupsion, por duke mbështetur institucionet e drejtësisë që hetojnë dhe luftojnë këtë fenomen, edhe në nivelet më të larta të pushtetit politik. Sipas tij hetimet ndaj zyrtarëve të lartë janë dëshmi e pavarësisë së sistemit të drejtësisë.

“Hyrja në atë faqe nuk bëhet duke u rrokullisur në humnerë. Sot ekonomia ka prekur tavanin e 30 miliardë eurove. Nuk bëhet hyrja në atë faqe duke u zhytur në korrupsion, por duke mbështetur pa kushte organet e pavarura të drejtësisë që e luftojnë korrupsionin deri në nivelet më të larta të pushtetit politik. Ndryshe nga çfarë nxjerrin buçitë e grykave publike, shqiptarët janë të mençur që ta kuptojnë se fakti që sot dhe prej kaq vitesh ka organe të pavarura drejtësie që godasin këtu brenda, është rrjedhojë e të vërtetës së madhe se këtu është garancia e paprekshmërisë së pavarësisë së drejtësisë”, theksoi Rama.

Rama theksoi se rruga drejt BE-së nuk mund të ndërtohet duke u mbyllur gojën kritikëve të qeverisë, ndërsa mohoi të ketë paralele mes Beogradit dhe Tiranës. Ai paralajmëroi gjithashtu zhvillimin e një debati kombëtar për arritjet dhe problematikat e vendit.

“Ndaj ka hyrë Shqipëria në atë faqe dhe nuk bëhet hyrja në atë faqe duke u mbyllur gojën kritikëve të qeverisë. Ky vend prodhon çdo ditë, në të gjitha kanalet e veta mediatike, 60% përmbajtje kundër qeverisë, afro 30% përmbajtje neutrale dhe vetëm 10% përmbajtje pro qeverisë. Të gjitha këto të dhëna mund t’u vlejnë edhe atyre që u kuturisën të ngrenë paralele mes Beogradit dhe Tiranës. Ky është një vend ku liria e kujtdo që është i pozicionuar kundër nesh është e atillë saqë nuk e gjen në asnjë vend tjetër. Kore si ato të përnatshmet, që u rreshtuan ekran më ekran për të glorifikuar dhunën. Do të kemi kohë për të gjithë përparimin e madh dhe të gjitha problemet e shumta të vendit dhe të njerëzve gjatë një debati kombëtar, të cilin do ta propozoj pak më poshtë”, tha kryeministri Rama.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos