Kampioni në fuqi i Australian Open, Roger Federer pësoi një humbje befasuese kundër grekut Stefanos Tsitsipas, duke mos arritur kështu të kalojë në fazën çerekfinale të turneut.
Zvicerani u mposht 6-7 (11-13) 7-6 (7-3) 7-5 7-6 (7-5) në një mbrëmje dramatike në Melburn. Është hera e dytë në 16 vjet që Federer – 6-herë fitues i turneut – nuk arrin në çerekfinale.
Pa diskutim, kjo ishte fitorja më e madhe në karrierën e Tsitsipas, 20 vjeç, i cili u përlot në përfundim të takimit, ndërsa më pas deklaroi: “Jam njeriu më i lumtur në botë për momentin”.

Nuk pati aspak probleme të kalonte në çerekfinale Rafael Nadal, i cili shkatërroi në tre sete finalistin e Wimbledon të vitit të kaluar, Tomas Berdych. Spanjolli mundi çekun me rezultatin 6-0 6-1 7-6 (7-4) po në Melburn, duke shkëlqyer përgjatë gjithë takimit.
32-vjeçari, fitues i 17 turneve Grand Slam, duket në formë të mirë këtë fillimviti, ndërsa synon që të bëhet tenisti i parë që i fiton të katër turnetë më të rëndësishëm të sportit (Wimbledon, Roland Garros, US Open dhe Australian Open) nga dy herë. Në turneun australian ai ka triumfuar vetëm një herë, në vitin 2009. (A2 Televizion)