
Hungaria dhe Polonia kanë bllokuar miratimin e buxhetit të BE-së, mbi një klauzolë që lidh fondet e BE-së me respektimin e shtetit ligjor.
Paketa financiare përfshin 750 miliardë euro për rikuperimit ekonomik pas shpërthimit të pandemisë së koronavirusit.
Ambasadorët e 27 vendeve anëtare që u takuan në Bruksel nuk ishin në gjendje të miratonin buxhetin sepse të dy vendet vunë veton.
Hungaria dhe Polonia janë kritikuar për shkeljen e standardeve demokratike të parashikuara në traktatin themelues të BE-së, e cila po heton të dy vendet për minimin e pavarësisë së gjykatave, mediave dhe organizatave joqeveritare. Klauzola kërcënon t'u kushtojë atyre miliarda euro në fondet e BE-së.
Shtetet e BE-së kishin rënë dakord për buxhetin 2021-2027 dhe paketën stimuluese për ringritjen nga koronavirusit pas një samiti katër-ditor maratonë në korrik.
Ambasadorët kishin votuar përmes klauzolës që kushtëzonte hyrjen në fondet e BE me respektimin e shtetit ligjor, sepse kërkonte vetëm një shumicë të kualifikuar, tha presidenca gjermane e BE.
Por buxheti dhe paketa e shpëtimit kishin nevojë për mbështetje unanime dhe më pas u bllokuan nga Polonia dhe Hungaria.
"Ne nuk mund ta mbështesim planin në formën e tij aktuale për të lidhur kriteret e sundimit të ligjit me vendimet e buxhetit," tha Zoltan Kovacs, një zëdhënës i Kryeministrit Hungarez Viktor Orban.
Kryeministri polak Mateusz Moraëiecki kërcënoi me veto javën e kaluar, ndërsa të hënën, ministri polak i Drejtësisë, Zbignieë Ziobro, tha se çështja e sundimit të ligjit ishte vetëm një pretekst.
“Është me të vërtetë një skllavëri institucionale, politike, një kufizim radikal i sovranitetit,” tha ai.
Por Kancelari austriak Sebastian Kurz, duke folur në një konferencë menjëherë pasi u bllokua buxheti, tha se mbështetja e parimeve të sundimit të ligjit është një domosdoshmëri absolute, sepse shumat që u shpërndaheshin nga BE për vendet anëtare ishin kaq të mëdha.
Në një deklaratë, Johannes Hahn, Komisioneri i BE për buxhetin dhe administratën tha se ai ishte i zhgënjyer nga vetoja.
Ai u kërkoi vendeve anëtare të marrin përsipër përgjegjësinë politike dhe të ndërmarrin hapat e nevojshëm për të finalizuar të gjithë paketën.
“Kjo nuk ka të bëjë me ideologji por me ndihmë për qytetarët tanë në krizën më të rëndë që nga Lufta e Dytë Botërore,” shtoi ai.
Ngecja do të debatohet nga ministrat e çështjeve evropiane të BE të martën dhe nga udhëheqësit e BE-së në një videokonferencë të enjten. Por, zyrtarët thonë se zgjidhja mund të kërkojë më shumë kohë. (A2 Televizion)