Hyn Cutrone dhe Milani prek çerekfinalet e Kupës

Nga A2 CNN
12 Janar 2019, 20:56 | Futboll
Hyn Cutrone dhe Milani prek çerekfinalet e Kupës

Milani arrin të kualifikohet për në çerekfinalet e Kupës së Italisë duke mundur 2-0 Sampdorian në kohën shtesë.

Në ndeshjen e parë si kuqezi për blerjen e re Lucas Paqueta, diferencën e bën sulmuesi Patrick Cutrone, i cili futet në kohën shtesë dhe shënon dy golat e kualifikimit. Braziliani Paqueta luan 85 minuta duke dhënë disa sinjale pozitive për të ardhmen, por duhet të futej i riu Cutrone që skuadra e Gattusos të zgjidhte një ndeshje të vështirë.

Milani krijoi më shumë raste gjatë 90 minutave të kohës së rregullt, por edhe Samdoria rrezikoi disa herë me Ramirez, Caprari e Quagliarellan, duke bërë që Reina të jetë ndër më të mirët në fushë. Në shtesë, Castillejo i lë vendin Cutrones, i cili do të tregohet vendimtar.

Edhe Sampdoria shpërdoron një rast fantastik me Koënackin në fillim, në të 12’ të shtesës sulmuesi godet fluturimthi në kuadrat pas një krosimi të Contit. Në fillim të pjesë së dytë shtesë, 21-vjeçari shënon sërish, këtë herë pas topit të dhënë nga Calhanoglu dhe i dhuron Milanit çerekfinalet e Kupës, ku do të përballet me fituesen e çiftit Napoli-Sassuolo. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos