
Steven Gerrard ia ka bërë të qartë Eros Grezdës se duhet të vërtetojë që është një lojtar i denjë për të luajtur për Gllasgow Rangers.
Që kur u ble në verë nga Osijek, për shkak edhe të një dëmtimi, lojtari i kombëtares shqiptare ka shënuar vetëm dy gola dhe nuk është parë më në formacion që prej muajit të kaluar kur luajti kundër St Johnstone.
“Grezda duhet të provojë veten. Duhet të sforcohet në maksimum që të vërtetojë se është i aftë të jetë një lojtar i Rangers”, tha Gerrard. “Së pari ai duhet të fitojë një vend në formacion sepse për momentin aty luajnë ata që ishin titullarë kundër Celtic, dhe me të drejtë. Në javët në vazhdim ai duhet të tregojë se dëshiron të rifitojë fanellën dhe kur të arrijë vazhdimësinë do të ketë edhe mundësinë e tij”.
Por ecuria e Grezdës u pengua të enjten kur lojtari u largua me paterica për shkak të një dëmtimi në kampin stërvitor të Rangers në Tenerife dhe parashikimi më i keq është që ai do të qëndrojë 10 javë larg fushave. (A2 Televizion)