Sirhan B. Sirhan, i dënuar në vitin 1968 për vrasjen e senatorit Robert F. Kennedy, mund të përfitoi liri me kusht të premten, pasi Komisioni i Vlerësimit miratoi kërkesën e tij, pas 15 refuzimesh. Pas miratimit të komisionit vlerësues, tani i takon Guvernatorit të Kalifornisë, Gavin Newsom të vendosë nëse ai do të lirohet nga burgu, apo jo.
Vrasësi, sot 77 vjeç, qëndron prej 53 vitesh në burgun e San Diegos dhe të premten doli para komisionit të vlerësimit të masës së sigurisë për të 16-n herë. Për herë të fundit kishte dalë në vitin 2016, ku i ishte mohuar e drejta për të dalë në liri me kusht.
“Ka kaluar më shumë se gjysmë shekulli. Senatori Kennedy ishte shpresa e gjithë botës dhe unë i lëndova të gjithë”, raportohet të ketë thënë palestinezi para komisionerëve. “Por nuk jam më djali i ri impulsiv”.
Fillimisht, Sirhan ishte dënuar me vdekje, por pasi Kalifornia miratoi një ligj që shfuqizonte dënimet me vdekje, dënimi iu ul në burgim të përjetshëm, ndërsa një hapësirë ligjore i jep atij mundësi që të kërkonte lirinë.
Sirhan u arrestua në vend pas vrasjes së vëllait të presidentit amerikan, më 5 qershor 1968 në Los Anxhelos. Robert Kennedy ishte në prag të kandidimit për president i Amerikës në zgjedhjet brenda Partisë Demokratike. Vrasja e tij, bashkë me atë të Martin Luther King Jr. dy muaj më parë, krijoi një pikë kthese në historinë amerikane.
Vrasja e tij u krye 6 vite pas asaj të vëllait të tij, presidentit John F. Kennedy. Për eliminimin e tij u akuzua ish-marinsi amerikan Lee Harvey Osvald, i cili dy ditë më vonë u vra nga Jack Ruby. Ngjarjet nisën një spiral teorish konspirative që vijojnë edhe sot e kësaj dite.
Avokatët e Sirhan kanë deklaruar në atë kohë se ai mund edhe të ketë qenë nën hipnozë kur ka kryer vrasjen, duke shërbyer thjesht si vegël e një konspiracioni edhe më të madh. (A2 Televizion)