I ftohti i acartë ka pushtuar mbarë kontinentin evropian ndërsa ato që po e vuajnë më shumë janë Polonia, Gjermania dhe Austria, me temperatura disa gradë nën zero.
Dëborë dhe erëra të acarta po përjetojnë edhe Greqia dhe Turqia. Prej të premtes, e gjithë Evropa po përjeton atë çka meteorologët e kishin paralajmëruar, një dimër të egër që pritet të zgjasë.
Dëborës nuk i ka shpëtuar as Italia, ndonëse me vonesë në krahasim me vitet e shkuara ndërsa erërat nga Adriatiku pritet të sjellin në orët dhe ditët në vijim, edhe acar në disa zona. I vetmi qytet në Itali që po shijon ditë më të ngrohta, në 7 gradë celsius është Palermo.
Spanja dhe Portugalia shijojnë gjithashtu diell por veriu i Francës, ndikuar edhe nga i ftohti në Britani, është pushtuar nga i ftohti i acartë. Ekspertët e meteorologjisë flasin për një kontrast real moti mes Evropës perëndimore dhe asaj lindore përgjatë ditëve në vijim.
Edhe Kroacia po vuan nga i ftohti ekstrem, që ashtu si në Poloni, ka paralizuar lëvizjen dhe transportin publik. Në shumë shtete, fluturimet janë anuluar ose janë shtyrë në kohë. Moti ekstrem e ka bërë edhe më të vështirë jetën e emigrantëve në kufirin mes Bosnjës dhe Kroacisë ndërsa forcat e policisë vijojnë të qëndrojnë në gatishmëri të plotë.
Ndërkohë, fqinji ynë jugor po përjeton bum turistësh edhe në periudhën e dimrit, pavarësisht dëborës që ka pushtuar të gjithë Evropën lindore. Në Greqinë veriore dhe qendrore, trashësia e dëborës i ka kaluar 1 metra, me rrugët nacionale tashmë të mbyllura. Në shumë zona turistike, autoritetet kanë ndaluar kategorikisht udhëtimin.
Sipas meteorologëve, temperaturat kanë shënuar deri në-15 gradë celsius në shumë rajone të veriut të Greqisë, ndërsa mediat lokale raportojnë edhe për problem me energjinë elektrike përgjatë 24 orëve të fundit. Autoritetet për mbrojtjen civile janë mbledhur disa herë, me fokus përgatitjen e aksioneve për t’ju përgjigjur një plani emergjence. (A2 Televizion)