Krasniqi: Opozita i bëri dëm të madh protestës studentore

Nga A2 CNN
26 Tetor 2026, 20:44 | Politikë

Politologu Afrim Krasniqi u shpreh se mazhoranca iu përgjigj revoltës studentore me “propagandë dhe fushatë denigruese ndaj protestuesve”, ndërsa opozita “i bëri dëm të madh protestës studentore”.

“Protesta do të vazhdojë shumë gjatë, por do të vazhdojë në një mjedis krejt tjetër. Ndërkohë që mazhoranca pritej të mësonte nga gabimet e veta dhe të fqinjëve, paketa e qeverisë ishin dy mbledhje: njëra për të shpërblyer policët dhe tjetra për të marrë masa drastike antikushtetuese parandaluese, duke abuzuar me modelin francez. Kjo do të thotë se zgjidhja e qeverisë është propaganda dhe fushata denigruese ndaj protestuesve. Pamë që opozita hyri në lojë, por mendoj që në aspektin e strategjisë i bëri dëm të madh protestës studentore”, tha Krasniqi në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN.

Më tej, ai theksoi se është “fatkeqësi e madhe” që nuk pati reagim ndaj kësaj proteste.

“Ky vend duhet të kishte reaguar krejt ndryshe. Unë e quaj fatkeqësi të madhe që institucionet e pavarura nuk arritën të reagonin, që rektorët e universiteteve heshtën, që senatet akadamike heshtën. Kjo ishte faza ku duhej të mendohej për zgjidhjen. Ne nuk kemi as fillimin e debatit për zgjidhjen”, deklaroi Afrim Krasniqi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos