Për 4 vite, pasi personi që ajo quante babanë e saj ndërroi jetë, një 23- vjeçare i shkruante një sms në numrin e tij të vjetër. Pothuajse çdo ditë, Chastity Patterson i dërgonte përditësime për jetën e saj, nga diplomimi në universitet, deri tek beteja e saj e fituar me kancerin.
Nuk priste përgjigje, vajza nga Arkansas, ishte thjeshtë një mënyrë për të respektuar personin që e kishte rritur si bijën e saj, edhe pse jo babai biologjik.

Por ditën e përvjetorit të katërt, Chastity mori një përgjigje aq shokuese sa kuptimplotë.
Në numrin që besonte i përkiste të vdekurit, një person me emër Brad i shkruante se kishte 4 vite që ajo i dërgonte mesazhet numrit të tij, dhe po aq kohë që ai lexonte ato mesazhet, dhe kjo i kishte dhënë një forcë të madhe për t’u përballuar me vdekjen e vajzës së tij në një aksident rrugor.

“Kam dashur gjithmonë të ktheja përgjigje gjatë këtyre viteve, por nuk doja të të thyeja zemrën. Kam ndjekur gjatë gjithë kësaj kohe përparimet e tua, dhe do të doja që edhe vajza ime të kishte pasur mundësinë të bëhej si ty ”, rrëfeu personi, që shtoi se edhe ai priste çdo natë mesazhet e saj, që e kishin mbajtur gjallë gjatë asaj periudhe aq të vështirë.
Vajza ka shpërndarë ngjarjen e pazakontë në faqen e saj në Facebook, duke marrë dhjetëra mijëra komente inkurajuese. (A2 Televizion)