Kreu i PAA-së Agron Duka i ka quajtur idiotizëm paketën e re ligjore të prezantuar një ditë më parë nga kryeministri Edi Rama për dhunën dhe anarkinë urbane. Në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN, Duka tha se qëllimi i kreut të qeverisë është të rrudhë protestën dhe të gjejë të gjitha metodat për ta bërë këtë.
“Rama do të shfrytëzojë të gjitha metodat që ta rrudhë protestën. Siç ka bërë me ca idiotizma që po të jesh në protestë je fajtor dhe duhet të dënohesh me gjobë. Janë budallallëqe. Pse bëhen hetime për këtë Erjonin (Vishkullin) që i ka gjuajtur me gurë? Bëhen që të gjendet fajtori. Sipas kësaj logjike është e gjithë policia fajtore. Mënyra e tij është gjithmonë që të rrudhë sa më shumë protestën”, tha Duka në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.
Në këto kushte Duka sugjeron opozitën që bashkohet sikurse Lëvizja Studentore në Serbi për të njëjtin qëllim, në të kundërt protesta do të rrudhet.
“Nëse ne nuk do të dimë të jemi në favor të këtij qëllimi kryesor, protesta do të rrudhet e do të rrudhet. Këta u bashkuan e panë ku ishte qëndra e rëndesës e mbështetën dhe sollën rotacionin. Pavarësisht se ne mund të frymëzohemi nga ata kemi disa dallime kulturale”. (A2 Televizion)