Agron Duka, kryetar i PAA, deklaroi se Edi Rama nuk i është përgjigjur asnjërës prej 5 kërkesave të protestuesve.
Sipas tij, Rama mund të mos e japë dorëheqjen, por për zgjedhje të ndershme duhet të krijohet qeveria teknike dhe të rregullohet Kodi Zgjedhor.
“Reagimi me represion dhe ironi veçse e shton nervin e protestës. Sa i përket dialogut, protestuesit kanë 5 kërkesa dhe nuk i ka dhënë përgjigje asnjërës. Mund ta pranoja po të thonte nuk e jap dorëheqjen sepse jam votuar nga 800 mijë persona, por mund ta shohim mundësinë e qeverisë teknike. U bë kaq vite që në Shqipëri që zgjedhjet nuk pranohen, kështu që le të krijojmë një lojë të ndershme. Të bëjmë një qeveri teknike si në Maqedoninë e Veriut, të rregullojmë Kodin Zgjedhor sepse të gjithë janë kundër. Ky është dialogu, nuk bëhet dialog me ato gurët që vendos aty”, tha Duka në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN.
Kur u pyet për qëndrimin e deputetëve socialistë në lidhje me situatën që po kalon vendi, Duka u përgjigj: “Unë jam në pozicion komod dhe mund të them që më kanë zhgënjyer, por po të isha deputet… Kodi Zgjedhor është i tillë që ata vihen vetëm nga dora e kryetarit. Ata e quajnë karrierë këtë. Nuk jam i zhgënjyer, pasi edhe unë po të isha në vendin e tyre, ashtu do të kisha vepruar”. (A2 Televizion)