
Vetting-u në sistemin e drejtësisë largoi më shumë se 100 prokurorë dhe gjyqtarë të kapur ndesh me pasuritë dhe paaftësi në detyrë. Një vakum, i cili, sipas kreut të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, do vite që të rimbushet.
“Kemi trashëguar një mori prokurorësh që shërbejnë në vend epune ku janë caktuar përkohësisht, do të na duhet t’i kthejmë ku kanë vendin origjinal dhe në ato vende bosh do të emërohen magjistratët e rinj”, tha Gent Ibrahimi, krytar i Këshillit të Lartë të Prokurorëve.
Por hendeku dhe numri i madh i çështjeve të cilat presin të zgjidhen juridikisht, do të kalojë edhe në dorë të magjistratëve të rinj. Për të cilët, trupi diplomatik dhe organizmat që monitorojnë Reformën në Drejtësi kanë mesazhe të qarta. E ngarkuara me punë e SHBA në Tiranë, Leyla Moses Ones, tha se magjistratët e rinj duhet të jenë agjentë të ndryshimit për një Shqipëri të lirë, të drejtë dhe demokratike. Ndërsa ambasadori i OSBE, Bernd Bochardt, shprehu besimin se brezi i ri i gjyqtarëve dhe prokurorëve do investojnë në Reformën në Drejtësi.
“Udhëtimi juaj do ju vendosë në pozicione për të ndërtuar dhe mirëmbajtur sistemin e ri gjyqësor të Shqipërisë për dekadat e ardhshme. Kjo ju jep fuqinë e jashtëzakonshme që të ndërtoni vendim pas vendimi, ditë pas dite një sistem gjyqësor të ndershëm dhe transparent, pa korrupsion. Ju nxis të gjithëve të bëheni agjent të ndryshimit për një Shqipëri më të lirë, më të drejtë dhe më demokratike. Ushtrojeni këtë fuqi tuajën të re me përgjegjësi. Përfaqësojeni profesionin tuaj të ri me nder dhe kryejini detyrën tuaj në mënyrë etike”, tha Moses Ones.
“Gjyqtarët janë si mjekët, ose i shkatërrojnë, ose i shpëtojnë jetët. Nuk asgjë më të keqe dhe shkatërruese sesa padrejtësia ose drejtësia e vonuar. Keni të drejtë të jeni krenar sot, por keni edhe një përgjegjësi shumë të madhe mbi supe mbi të ardhmen. Duhet të jeni krenar për arritjet tuaja sot dhe të shërbeni me përulësi nesër. Paçi një karrierë të ngritur", u shpreh Luigi Soreca, ambasador i BE në Shqipëri.
Shefja e akuzës u kujtoi sfidat që i presin gjyqtarët dhe prokurorët e rinj. “Shumë shpejt do e kuptoni përse e kam fjalën dhe do të ndesheni me to. Sistemi është në reformim të thellë dhe për këtë arsye vështirësitë në punë janë shumë të mëdha”, tha Arta Marku, Prkurore e Përgjithshme e Përkohshme.
“Reforma që është ndërmarrë e bën rrugëtimin tuaj profesional të varet nga kompetence dhe cilësia e dhënies së drejtësisë, e jo më nga lidhjet e fshehta me pushtetin apo përpjekjet e ankthshme për të gjetur mbështetje nga partitë”, tha ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj.
Mbi 25 magjistratë të rinj pritet të emërohen si prokurorë dhe gjyqtarë pas vendimit të këshillave. (A2 Televizion)