
Pas akuzave të Kryeministrit Edi Rama dhe zëvendëskryeministrit Erion Braçe ndaj prokurorit të Durrësit Arjan Ndoja, për procedurat ligjore të ndjekura prej tij në çështjen gjyqësore ku është marrë si i pandehur Drejtori i Kadastrës Durrës, Liridon Pula, reagon Këshilli i Lartë i Prokurorisë.
Përmes një deklarate për mediat, KLP vëren se “Deklarimet e sipërpërmendura janë të tilla që mund të paragjykojnë ecurinë dhe përfundimin e një procesi gjyqësor në vijim dhe të procedurave të tjera ligjore”.
“Këshilli i Lartë i Prokurorisë inkurajon deklaruesit, si dhe çdo subjekt tjetër publik ose privat, të denoncojnë pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda të gjitha rastet e dyshuara të kryerjes së veprave penale nga çdo prokuror i Republikës, ndërsa dyshimet për kryerjen e shkeljeve disiplinore duhet të denoncohen pranë Prokurorit të Përgjithshëm (deri sa të krijohet Inspektori i Lartë i Drejtësisë) dhe institucioneve të vetting-ut.
Nga ana tjetër, Këshilli i Lartë i Prokurorisë iu bën thirrje të gjithë prokurorëve të Republikës të vijojnë punën me përgjegjshmëri të lartë në zbatim të kompetencave të tyre kushtetuese për ushtrimin e ndjekjes penale dhe përfaqësimin e akuzës në shërbim të shoqërisë. Mënyra më e mirë për të arritur tek e vërteta është respektimi i procedurave dhe i institucioneve të ngarkuara nga ligji me dhënien e drejtësisë” (A2 Televizion)
Deklarata e KLP