
Në Japoni u përcaktua figura që do të zëvendësojë, Shinzo Abe, si kreun e qeverisë së ardhshme në Tokyo.
Partia Liberal Demokrate në fuqi votoi me 70% të votave Yoshihide Suga si liderin e saj, çka do të thotë se emërimi i tij të mërkurën si kryeministër shndërrohet në një formalitet.
Edhe pse Suga ka qenë me vite krahu i djathtë i Abes, si shef i Kabinetit, historitë e tyre nuk mund të ishin më të ndryshme.
Shinzo Abe, kryeministri më jetëgjatë i historisë së Japonisë, i ndalur së fundmi nga një sëmundje prej së cilës vuan prej vitesh, vjen nga një familje aristokrate dhe e angazhuar politikisht, me të atin që ka qenë Ministër i Jashtëm dhe dy kushërinj që kanë shërbyer si kryeministra.
Ndërkohë, Suga ka lindur në një familje tejet e varfër, në provincë, dhe për t’u mbajtur ekonomikisht ka punuar edhe në fabrika peshku.
Detyra e tij nuk do të jetë e thjeshtë, nga momenti që indeksi i kënaqësisë së Abe kishte rënë poshtë 36%. Kryeministri Abe akuzohet më së shumti për borxhin e madh të mbledhur gjatë viteve nga qeveria, si dhe për një mungesë iniciative për t’u përballuar me problemin e plakjes graduale të popullsisë.
Analistët politikë në Tokyo janë kuriozë, sepse deri më tani 71-vjeçari ka qenë gjithmonë personi mbrapa skenës dhe jo lideri që japonezët duartrokasin dhe janë gati të ndjekin. (A2 Televizion)