“Impeachment”, shkojnë në Senat akuzat kundër Trump

Nga A2 CNN
16 Janar 2020, 13:27 | Bota
“Impeachment”, shkojnë në Senat akuzat kundër Trump

Dhoma e Përfaqësuesve, e kryesuar nga demokratë në SHBA, dërgoi në Senat dy akuzat zyrtare kundër presidentit amerikan Donald Trump, duke i hapur rrugën procesit të tretë gjyqsor në historinë amerikane, për shkarkimin e një presidenti.

Ligjvënësit votuan pothuajse tërësisht sipas përkatësisë partiake; me 228 vota pro dhe 193 kundër për t’i ngarkuar Senatit të kontrolluar nga republikanët detyrën për të gjykuar Trump, mbi akuzat e abuzimit me pushtetin dhe pengim të Kongresit.

“Sot ne do të bëjmë historinë, kur menaxherët e impeachment do të dorëzojnë akuzat kundër presidentit të Shteteve të Bashkuara”, u shpreh Nancy Pelosi, Kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve.

Dhoma e Përfaqësuesve i miratoi akuzat muajin e kaluar, por kryetarja Pelosi, priti katër javë për t’i dërguar ato në Senat, në përpjekje për të bindur udhëheqësit republikanë të Senatit që të lejonin dëshmitarë të flisnin në gjyq. Kjo çështje mbetet pa zgjidhje. Kreu i shumicës republikane në Senat, Mitch McConnell i ka rezistuar idesë për të thirrjen e dëshmitarëve dhe ka thënë se vendimi do të merret më pas gjatë gjyqit.   

“Procesi për shkarkimin e Presidentit Trump mund të jetë më një prej shkeljeve më të rënda të Kushtetutës. Ai zhbën vendimin e popullit në zgjedhjet e përgjithshme dhe cenon unitetin kombëtar” deklaroi Mitch McConnell.

Pelosi emëroi të mërkurën ekipin e ligjvënësve që do të luajnë rolin e prokurorëve në gjyqin që zhvillohet në Senat. Ekipi kryesohet nga kreu i Komisionit të Zbulimit, Adam Schiff dhe ai i Komisionit Juridik, Jerrold Nadler. Procesi gjyqësor drejtohet nga Kryetari i Gjykatës së Lartë, ndërsa senatorët janë në rolin e anëtarëve të jurisë që kanë dorë të shpallë presidentin të fajshëm ose jo, për akuzat e ngritura nga Dhoma e Përfaqësuesve.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos