Nga arratia, Klodian Zoto i inceneratorëve kërkon pafajësi për Elbasanin

Nga A2 CNN
20 Korrik 2023, 13:06 | Aktualitet
Nga arratia, Klodian Zoto i inceneratorëve kërkon pafajësi

Pas më shumë se 18 muajsh në kërkim nga drejtësia shqiptare, biznesmeni i inceneratorëve, Klodian Zoto, u bë i gjallë në Gjykatën e Posaçme. Pa qenë vetë i pranishëm, por përmes avokatit të tij Ardian Leka, Zoto i kërkoi gjykatës të shpallej i pafajshëm për akuzat e SPAK-ut kundër tij për inceneratorin e Elbasanit.

Biznesmeni që sipas SPAK, bashkë me Mirel Mërtirin, kanë korruptuar ish-zv/kryeministrin, po gjykohet për “korrupsion” e “pastrim parash” bashkë me ish-ministrin Lefter Koka e ish-deputetin e PS, Alqi Bllako. Duke iu referuar lakimit të emrit të klientit të tij Zoto nga media dhe politika gjatë ditëve të fundit, për shkak të veprimeve të SPAK ndaj ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj, avokati Leka pretendoi paragjykim të çështjes.

Sipas tij, në diskutimet për imunitetin e ish-ministrit, fajësia e Zotos ishte shpallur publikisht. “Me gjithë respektin ndaj jush, ne nuk kemi shpresë për një gjykim të paanshëm”, i tha avokati gjykatës.

Më tej, mbrojtësi i Zotos theksoi se klienti i tij ishte administrator i “Integrated Technology Services”, ndërsa koncensioni ishte fituar nga “Albtek Energy”. Sipas Lekës, Zoto ka qenë vetëm avokat i “Albtek”, këshillues ligjor i saj. Leka tha se SPAK nuk provonte korrupsionin e pretenduar të Zotos e as pastrimin e parave prej tij.

Në seancën e radhës, e caktuar në 27 korrik, do të dëgjohet mbrojtja e dy biznesmenëve të tjerë në kërkim, Mirel Mërtiri e Stela Gugallja.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos