
Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka dhe ish-sekretari i Përgjithshëm i kësaj ministrie, Alqi Bllako, do të ulen në tavolinën e të pandehurve në Gjykatën e Posaçme, për t’u përballur me akuzat e SPAK kundër tyre në lidhje me aferën e inceneratorit të Elbasanit.
Gjykata e Posaçme vendosi të pranojë kërkesën e SPAK për të kaluar në gjykim dosjen me dhjetë të pandehur për akuza të “shpërdorimit të detyrës”, “korrupsionit” dhe “pastrimit të parave”. Veç dy ish-zyrtarëve Koka e Bllako, të pandehur janë biznesmenët e shpallur në kërkim, Klodian Zoto, Stela Gugallja e Mirel Mërtiri dhe ish-anëtarë të komisionit për dhënien e koncesionit. Në ditët në vijim çështja do t’i nënshtrohet shortit e më pas do të nisë gjykimi i saj.
Gjatë seancës paraprake të pandehurit kërkuan pushim të akuzave, duke pretenduar se ishin të pafajshëm. Pretendimi i tyre nuk u përqafua nga gjykata, e cila nuk u shpreh as për kërkesën për gjykim të shkurtuar, ndërsa avokatët patën rezerva edhe për shtrirjen e hetimit.
“Ministria e Financave këtu është anashkaluar. U kaluan për gjykim anëtarët e një komisioni që bënë draft kontratë, ndërkohë që nga Ministria e Financave që duhet të ishin hetuar, me këtë vendim sot, mendoj se kanë shpëtuar. I shpëtoi SPAK-u”, tha Visha.
Sipas SPAK, ish-ministri Koka ka dëmtuar interesat e ligjshme të Shtetit në kontratën koncensionare të inceneratorit të Elbasanit, duke favorizuar shoqërinë “Albtek Energy” në këmbim të një ryshfeti prej308 milionë lekë të rinj. Paratë e korrupsionit dyshohet të jenë lëvruar përmes një skeme fiktive, pjesë e së cilës janë bërë biznesmenët Gugallja, Zoto e Mërtiri.
Sipas SPAK, nga buxheti i shtetit janë lëvruar shuma parash për shoqëri tregtare të kontrolluara më mënyrë të tërthortë nga ish-ministri. (A2 Televizion)