Indonezia ofron një zgjidhje për luftën

Nga A2 CNN
1 Korrik 2022, 19:54 | Bota
Indonezia ofron një zgjidhje për luftën

Presidenti i Indonezisë, Joko Widodo, është ofruar si ndërmjetës midis Rusisë dhe Ukrainës për të arritur një marrëveshje mes të dyja palëve që do t'i japë fund luftës së nisur më 24 shkurt, nga trupat ruse.

Kreu i shtetit indonezian ka vizituar Moskën, ku është takuar me homologun e tij rus, Vladimir Putin, të cilit i ka përcjellë një mesazh nga Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, me të cilin ka zhvilluar edhe një takim në Kiev këtë javë.

“I përcolla një mesazh nga Presidenti Zelensky Presidentit Putin dhe shpreha gatishmërinë time për të vendosur komunikim mes dy liderëve”, tha Widodo, sipas agjencisë ruse të lajmeve Interfax. Mirëpo, zëdhënësi i Kremlinit, Dimitri Peskov, ka deklaruar para mediave se nuk është në dijeni të përmbajtjes së mesazhit në fjalë.

Presidenti indonezian ka theksuar se vendi i tij “nuk ka asnjë interes tjetër përveçse që lufta të përfundojë sa më shpejt që të jetë e mundur dhe të rikthehen menjëherë zinxhirët e furnizimit me ushqim dhe energji, sepse kjo ndikon në jetën e qindra miliona njerëzve”.

Joko Widodo nënvizoi gjithashtu rëndësinë e garantimit të furnizimeve me produkte ushqimore si nga Rusia ashtu edhe nga Ukraina për të kapërcyer krizën e afërt, në një kohë kur konflikti midis dy vendeve vë në rrezik sigurinë ushqimore globale. “Rifillimi i furnizimeve botërore ushqimore është i pamundur pa integruar furnizimet e produkteve ushqimore ruse dhe grurit ukrainas”, i tha Widodo homologut të tij rus, Vladimir Putin. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos