Çekia merr kryesimin e BE, Ballkani prioritet, synohet hapja e negociatave brenda korrikut

Nga A2 CNN
1 Korrik 2022, 12:49 | Bota
Çekia merr kryesimin e BE, Ballkani prioritet, synohet hapja e

Nga kjo e premte, Çekia merr kryesimin e radhës së Bashkimit Europian pozitë që për 6 muajt e fundit e mbajti Franca. Diplomatë në Bruksel, të cituar nga Radio Evropa e Lirë, thonë se Ballkani Perëndimor do të jetë prioritet i rëndësishëm i presidencës çeke, bashkë me çështjet që lidhen me luftën në Ukrainë dhe energjinë.

Diplomatët thonë se në kohën e agresionit rus në Ukrainë, procesi i zgjerimit të BE është më i rëndësishëm se kurrë dhe kjo vlen edhe për raportet e Brukselit me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Sipas burimit të cituar nga Radio Evropa e Lirë, Praga shpreson që gjatë kryesimit të saj të bllokut të ketë përparim konkret lidhur me rajonin, të nisin negociatat e anëtarësimit në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, si dhe të përmbyllet procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën.

Siç thuhet, nivelet më të larta po punojnë që konferenca e parë ndërqeveritare, që do të shënonte nisjen e negociatave të anëtarësimit për Shkupin dhe Tiranën, të ndodhë para pushimeve të verës, pra, në muajin e parë të kryesimit çek.

Nuk është e sigurt nëse vendi do të organizojë ndonjë takim të liderëve të BE me kolegët e Ballkanit Perëndimor, gjithsesi në 6 tetor do të ketë një takim të liderëve në Pragë ku do të diskutohet “një Europë më e gjerë”.

Sa i përket liberalizimit të vizave me Kosovën, Çekia, sipas burimeve diplomatike, është e gatshme që këtë vendim ta vendosë në rend të ditës, sapo të vërtetohet se ka gatishmëri nga vendet anëtare për heqjen e vizave.

Kjo është hera e dytë që Çekia merr kryesimin e BE-së që kur është bërë anëtare e bllokut në vitin 2004.  Ngjarja u shënua me një paradë në rrugët e kryeqytetit Pragë.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos