
Forcat ruse hynë në qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, Kharkiv, pasi trupat e mbrojtën Kievin edhe për një tjetër natë. Tanket e ushtarët e Putin u panë në video, teksa avanconin në qytetin me 1.41 milionë banorë, para se të qëllonin kundër ukrainasve që po ashtu hapën zjarr.
Një shpërthim i fortë u dëgjua në qytet, ku raportohet të jetë goditur një gazsjellës. Luftimet po zhvillohen edhe nëpër rrugë e sipas shërbimeve të emergjencës një grua u vra e shumë të tjerë u evakuuan nga një pallat 9-katësh i shënjestruar nga predhat ruse.
Më herët, kryebashkiaku i qytetit jugor të Nova Kakhovka, njoftoi se trupat ruse kishin marrë kontrollin mëngjesin e së dielës.
Por rusët morën një goditje të fortë, pasi forcat ukrainase asgjësuan një kolonë me trupa çeçene, të dërguara për vrasjen e presidentit Volodimir Zelensky. Mes viktimave në radhët e çeçenëve, që njihen për metodat e tyre brutale, është edhe Magomed Tushaev, komandant i forcave elitë të liderit Ramazan Kadirov.
Përparimi i ngadaltë i ushtrisë, thuhet të ketë tërbuar Putinin, i cili prej disa ditësh nuk ka dhënë deklarata publike. Me urdhër të tij, ofensiva është intensifikuar ndjeshëm dhe të dielën në mëngjes u raportua se një raketë kishte goditur një zone mbetjesh nukleare.
Gjithashtu mediat lokale thonë se një rafineri nafte është hedhur në erë në bazën ajrore të Vasylkiv, 40 km larg Kievit. Frika për re të mundshme toksike, ka shtyrë autoritetet t’u kërkojnë qytetarëve të mos i hapin dritaret. (A2 Televizion)