“Po punojmë për lëvizje politike”, Hasimja: Jemi 30 persona në Forumin e Dialogut. Ja si ndryshohet sistemi

Nga A2 CNN
27 Tetor 2026, 21:59 | Politikë

 “Po punojmë për lëvizje politike”. Këtë paralajmëroi në Off the Record me Andrea Dangllin ën a2 CNN politologu Ermal Hasimja, i cili theksoi se platforma e Forumit të Dialogut politik mbështetet në dy elementë kyçë; çlirimi i shtetit nga partia dhe çlirimi i ekonomisë nga politika.

"Po punojmë. Jemi një grup shumë i mirë, 30 veta aty janë studentë e pedagogë bashkë. Ne jemi aktorë politikë që në këtë moment. Mund të vendosim mbas një muaji, mbas 6 muajsh që të bëhemi parti. Po është diskutim tjetër. Për momentin ajo që është e rëndësishme për ne është që të kemi një grup me kohezion, me ide dhe këto ide i kemi prezantuar dhe përpara disa kohësh. Nuk mjafton sot të ndryshosh thjesht një emër me një tjetër, sepse problemi kryesor që kemi sot është sistemi dhe ky sistem e ka bërë të mundur sidomos me ato ndryshimet e 2008-ës që të kesh një lloj republike kryeministrore, jo tamam parlamentare por parlamentare kryeministrore. I ke dhënë jashtëzakonisht shumë pushtete kryeministrit dhe cilido edhe norvegjez dhe finlandez ta marrësh sot ta bësh kryeministrin do ta ketë atë tundimin e fortë për t'i ushtruar pushtetet që ka dhe për të marrë akoma më tepër sesa aq. Kemi dy elemente kyçë që janë në platformën tonë; një çlirimin e shtetit nga partia, sepse sot jemi në kushtet e një partie shtet që i kontrollon të gjitha në radhë të parë dhe dy dhe çlirimin e ekonomisë pastaj nga politika, sepse sot në qoftë se ti do të jesh një aktor i rëndësishëm në ekonomi, ti do ose s'do, do kalosh nga politika, politika prapë do përplaset me ty”, tha Hasimja.

Sipas tij sistemi ndryshohet vetëm në parlament ose me referendum.

“Ky sistem do ndryshojë aty ku u bë lëmsh, në parlament. Ndryshimi nuk ka për t'u bërë as në shesh, dhe ata që janë në shesh të gjithë e dinë e kanë të qartë këtë gjë ndryshimi do bëhet po në parlament ose me referendum kushtetues. Ne po ju themi njerëzve si forum pikërisht rrugën që duhet ndjekur për ta bërë këtë ndryshim. Dhe këtu ke një dua ta tregoj gjithë platformën se si duhet të bëjë kjo gjë, se kjo gjë nuk bëhet. Ti vendos një ditë e tani kemi vendosur të bëhemi të mirë e të ndershëm. Nuk funksionon kështu”, theksoi Hasimja

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos