
Pas goditjes së papritur të Romelu Lukakut, dhe kontratat e depozituara të portierit Onana dhe talentit shqiptar Kristjan Asllani, Interi përforcon edhe më shumë mesfushën me fantazinë dhe eksperiencën e armenit Henry Mkhitaryan.
Mesfushori 33-vjeçar që ka luajtur nder të tjerat me Shaktarin, Borussia Dortmund, Manchester United dhe Arsenal, nuk rinovoi me Romën e teknikut Jose Mourinho, duke firmosur me ish-ekipin e trajnerit portugez.
“I lumtur që jam pjesë e këtij ekipi të rëndësishëm, do të bëj gjithçka për të ndihmuar ekipin në arritjen e objektivave”, ishin fjalët e para të tij si zikaltër, ndërkohë që ai nuk harroi as tifozët romanistë, me të cilët festoi pak javë më parë triumfin në Conference League.
“Kur vesha për herë të parë atë fanellë objektivi im ishte të fitoja diçka për të gëzuar tifozët e mrekullueshëm. Atë objektiv e përmbusha në Tiranë, përfundimi perfekt i tre viteve si verdhekuq”, shkruan ai në Instagram. (A2 Televizion)